Google ADS

Lista Serbe refuzon që Asociacioni të formohet me ligjet e Kosovës

13:16 | 25 Qershor 2018
Arbresh.info

Funksionari i Listës Serbe, e njëkohësisht zëvendëskryeministër e ministër për Komunitete e Kthim në dorëheqje i Qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka thënë sot se komuniteti serb pret që marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit të implementohen.

Tutje, ai tha se pritjet më të mëdha janë në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin ai thotë se do të kontribuojë në zgjidhjen e shumë problemeve aktuale, transmeton lajmi.net.

“Pritjet më të mëdha janë tek formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili do të kontribuonte në zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat përballemi që një kohë të gjatë”,u shpreh Jevitq.

E sipas Jevtiq, qëndrimi i Listës Serbe është që Asociacioni të mos formohet në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne nuk do të donim diçka që do të formohej nën ligjet aktuale të Kosovës. Askush nuk do të shkonte në Bruksel që ta negocionte këtë, por do të shkonte që të kishte diçka të re dhe diçka ndryshe, diçka që do të ndikonte në organizimin më të mirë të jetës së komunitetit serb”, përfundoi Jevtiq.

Kujtojmë se Lista Serbe që prej arrestimit të Marko Gjuriqit në Kosovë, kishte marrë vendim që të dalë nga Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj, ani pse ata ende vazhdojnë t’i mbajnë postet ministrore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme