Lista Serbe reagon pas kthimit të autobusëve, e quan Serbinë shtet të saj

13:44 | 29 Mars 2017
Arbresh.info

Grupi parlamentar Lista Serbe ka reaguar pas pengimit të qytetarëve serbë për të marrë pjesë në tubimin e SNS-së në Leposaviq, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 2 prillit në Serbi.

“Serbët në Kosovë janë të privuar nga liria e lëvizjes dhe e organizimit politik. Ne jemi të sigurt që shteti ynë, Serbia do të ketë një përgjigje të qartë për këtë dhunë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Lista Serbe, si reagim ndaj bllokadës së autobusëve me përkrahës të SNS-së të cilët ishin nisur sot drejt Kosovës, transmeton arbresh.info.

Skenat e kthimit të autobusëve me simpatizantë politikë, sipas  grupit parlamentar i cili kohëve të fundit është rikthyer në institucionet e Kosovës pas disa muajve bojkot, dëshmojnë se vetëdija politike shqiptare është një shekull larg nga standardet demokratike evropiane.

Ata kanë kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me këtë ngjarje./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme