Lista Serbe paguan mbi 6 mijë euro gjoba të shqiptuara nga PZAP

11:22 | 7 Qershor 2019
Arbresh.info

Më 19 maj, në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet për të parët e komunave, ku garuan kandidatë të Listës Serbe, PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Me shumicë votash, në katër komunat fituan kandidatët e Listës Serbe, shkruan Indeksonline.

Por, për shkelje ligjore gjatë fushatës zgjedhore, Lista Serbe ishte gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me 6 mijë e 150 euro, borxh të cilin ajo detyrohej ta paguaj brenda 15 ditëve.

E, Lista Serbe nuk ka pritur që të kaloj ky afat, duke e shlyer borxhin në PZAP pa u vonuar shumë. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te PZAP-it.

“Subjekti politik Lista Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave të veriut të Kosovës nga PZAP-i është dënuar me gjoba në shumë prej 6,150.00 euro të cilat gjoba i  ka paguar në tërësi”, ka thënë Desku.

Sipas tij, vetëm partia serbe, Lista Serbe ishte gjobitur për shkelje, derisa dy partitë tjera shqiptare jo.

“Dënime tjera me gjoba ndaj subjekteve politike në këto zgjedhje nuk ka pasur”, ka thënë tutje Desku.

Kujtojmë se ishin gjithsej tri gjoba të shqiptuara në adresë të Listës Serbe e cila është e detyruar të paguaj brenda 15 ditëve.

Gjoba e parë prej 2 mijë e 100 euro nga PZAP erdhi për shkak se pak ditë para zgjedhjeve, përkatësisht me 16 maj, në disa hapësira publike në pjesën e qendrës së qytetit të Mitrovicës së Veriut, gjatë monitorimit kanë vërejtur pllakata në emër të subjektit politik Lista Serbe. Duke qenë se fotografia e Goran Rakiqit është vendosur në shtylla elektrike e rrugë publike, kjo paraqet shkelje të LZP-së. Për këto shkelje ligjore, kjo parti nuk është përgjigjur.

Dënimi tjetër prej 2 mijë e 50 euro për Listën Serbe është marrë për shkak se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore është vërejtur parregullsi, ku në Zubin Potok, magjistralja për Zupq, janë vendosur pllaka në emër kandidatëve të kësaj partie nëpër shtylla elektrike, veprim ky i ndaluar me ligj.

Ndërsa, dënimi i tretë për këtë parti është shuma 2 mijë euro, vendim i marrë nga PZAP. E arsyeja është e ngjashme me ankesat e tjera, për vendosje të fotografisë dhe emrit të kandidatit nëpër hapësirë publike, si në shtylla të ndriçimit publik./

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme