Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal, është angazhuar shumë pak ose fare për integrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës dhe në përgjithësi në shoqërinë e Kosovës, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.
Për më tepër, sipas tyre, Lista Serbe nuk ka përfaqësuar interesat e komunitetit serb që jeton në Kosovë, por interesat politike të Beogradit zyrtar, produkt i së cilës është kjo parti.
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste, thotë për REL se Lista Serbe, sidomos gjatë vitit 2018, ka punuar më tepër në drejtim të asaj që serbët lokalë t’i largojë nga përafrimi me institucionet e Kosovës.
“Nëse do të më duhej ta them me një fjali të shkurtë, atëherë mund të them që angazhimi i tyre gjatë këtij viti mund të përshkruhet me atë që kanë dhënë gjithçka nga vetja që ta dezintegrojnë serbët, e sidomos t’i dezintegrojnë lidhjet që janë krijuar ndërmjet popujve, si dhe atë shkallën e tolerancës dhe bashkëjetesës, për të cilat aq gjatë dhe me aq mund kemi punuar. Gjithçka ka degraduar në anashkalimin të tërësishëm, injorim dhe pamundësim të kundërshtimit të serbëve në Kosovë”, thotë Rashiq.
Ai shton që Lista Serbe, e cila, para së gjithash, është dashur t’i përfaqësojnë serbët e Kosovës, jo vetëm që nuk e kanë bërë këtë fare, por sipas tij, të gjitha veprimet e saj politike kanë qenë të drejtuara në atë që serbët, përmes presionit politik, sa më shumë t’i largojnë nga institucionet e Kosovës. Siç thotë ai, Lista Serbe i ka minimizuar institucionet e Kosovës në sytë e serbëve lokalë, ndërkohë që po këtyre institucioneve ua ka shfrytëzuar të gjitha kapacitetet për interesa personale të një grupi.
Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thekson që rolin vendimtar për veprimet e Listës Serbe e ka Beogradi zyrtar. Nisur nga kjo, sipas tij, Lista Serbe faktikisht nuk i përfaqëson interesat e serbëve lokalë në Kosovë, por interesat e Beogradit.
“Kur flasim për vetëqeverisjet lokale në jug të lumit Ibër, mendoj që aty serbët janë integruar plotësisht, pavarësisht që edhe ata janë pjesë e Listës Serbe, sepse situata i kushtëzon që të bashkëpunojnë dhe të kenë një marrëdhënie korrekte me institucionet në Prishtinë. Por, sa u përket serbëve në veri, ata kanë një situatë krejtësisht tjetër. Mendoj që porositë që u janë dërguar deri më tash serbëve në veri, i kanë larguar gjithnjë e më shumë nga institucionet e Kosovës dhe madje e quajnë si mënyrë mjaft e mirë e luftës. Në fakt, serbët në veri, janë gati së krejtësisht të bindur që ata, në një të ardhme, do të ndahen nga institucionet në Prishtinë”, thekson Nojkiq.
Ai shton se përfaqësimi i interesave të Beogradit nga Lista Serbe dhe injorimi i realitetit në terren rrezikon të sjellë një situatë edhe më të vështirë sesa është për serbët që jetojnë në Kosovë.
Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, ka vlerësuar se Lista Serbe është dashur që ta ketë rolin integrues të serbëve në shoqërinë dhe në sistemin e Kosovës. Por, sipas tij, nën kontrollin e Beogradit, Lista Serbe e kontrollon integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës.
“Lista Serbe sigurisht që e ka ngadalësuar integrimin, në kuptim e kontrollit, kush mundet të integrohet e kush nuk mundet, si dhe kush do të integrohet dhe kush jo. Ne e dimë që mjaft serbë janë punësuar në institucionet e Kosovës, e posaçërisht në veri. Por, një pjesë e këtyre njerëzve madje fare nuk shkojnë në punë dhe sistemi integrues përjetohet në formën ‘të rri në shtëpi dhe të mos punoj, ndërkaq të merren para për një gjë të tillë’, që dikush e llogaritë si ‘integrim’”, vlerëson Petroniq.
Në anën tjetër, zyrtarët e Listës Serbe nuk i janë përgjigjur mediumit lidhur me angazhimin e tyre për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Në muajin mars të vitit 2018, zyrtarët e Listës Serbe kishte deklaruar se e kanë braktisur Qeverinë e Kosovës, për shkak të arrestimit dhe largimit nga Kosova të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Me pas, ata janë kthyer në dikasteret ku janë të emëruar, por kanë deklaruar se po i përfundojnë vetëm punët teknike.
Në nëntor të këtij viti, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë deklaruar dorëheqjen e tyre, për shkak të masës së Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet serbe.
Kryetari i Listës Serbe, gjatë një proteste të organizuar në Mitrovicën e Veriut, më 27 nëntor, ka theksuar se qeverisjet komunale në katër komunat veriore më nuk do të punojnë sipas sistemit të Kosovës.
“Ne kryetarët e komunave kemi sjellë vendimin, gjegjësisht, kemi dhënë dorëheqje dhe që nga sot, administrata e vetëqeverisjes lokale e sistemit të Prishtinës, në veri më nuk ekziston”, pati theksuar Rakiq.
Por, Nojkiq, vlerëson që ky bojkotim i institucioneve nga përfaqësuesit e Listës Serbe, sidomos me dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave veriore, janë porosi të qarta të qëllimeve që ka Lista Serbe e ndikuar nga Beogradi.
“Në këtë mënyrë ata po përpiqen të dërgojnë sinjal se janë të gatshëm që të ndahen krejtësisht. Por, kjo ka të bëjë vetëm veriun e Kosovës, sepse kur bëhet fjalë për pjesën qendrore të Kosovës, është një situatë krejtësisht tjetër. Në qoftë se vazhdojnë kështu dhe në qoftë se ndodhë diçka e tillë, do t’i sjellin dëm jashtëzakonisht të madh dy të tretave të serbëve, pra, shumicës së serbëve që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës”, theksoi Nojkiq.
Megjithatë, siç thotë Petroniq, dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave veriore, mbeten ende të paqarta ligjërisht.
“Ata po presin që njerëzit t’i harrojnë ato dorëheqje dhe siç thuhet ‘nga 1 janari, shkojmë me ritmin e njëjtë’, pra, pa dorëheqje. Kështu do të jetë, me ato lojërat politike për opinionin”, theksoi Petroniq.
Sidoqoftë, Lista Serbe, si subjekt politik, është krijuar pas porosisë së Beogradit zyrtar, i cili pati theksuar se është e rëndësishme që në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të vitit 2014, serbët të marrin pjesë të unifikuar.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të vitit 2017, Lista Serbe ka marrë 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, në nëntor të po atij viti, në zgjedhjet lokale, Lista Serbe ka fituar zgjedhjet për kryetar në 10 komuna me shumicë serbe.
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...