Lista Serbe, e cila sipas rezultateve të deritashme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë mbi 5 për qind të votave, e ka përjetuar këtë rezultat si fitore jo vetëm karshi subjekteve tjera politike serbe pjesëmarrëse në zgjedhje, por edhe karshi institucioneve të Kosovës dhe faktorëve të caktuar ndërkombëtarë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar, kanë festuar të dielën në mbrëmje, në komunat veriore të Kosovës, siç e kanë quajtur ata, fitoren e tyre, si dhe vazhdimësinë e pranisë së shtetit të Serbisë në Kosovë.Gjatë kremtes së Listës Serbe dhe simpatizantëve të tyre në Leposaviq, Slavko Simiq, kryetar i kësaj liste, ka thënë se deri në fitoren e subjektit që ai drejton, është zhvilluar luftë e vërtetë përball institucioneve të Kosovës.
“Na qoftë me fat vëllezër dhe motra. U qoftë me fat edhe qytetarëve të Komunës së Leposaviqit, por edhe qytetarëve të komunës së Graçanicës, të cilët kanë udhëhequr një luftë të vërtetë kundër institucioneve të Prishtinës, në ditët e kaluara, sepse vërtetë kemi hasur në obstruksione. Me fat i qoftë, para së gjithash, popullit serb në Kosovë, por edhe Qeverisë së Serbisë. Me fat i qoftë edhe kryetarit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Simiq.
I pranishëm në veri të Kosovës, gjatë gjithë ditës sa ka zgjatur procesi zgjedhor në vend, ka qenë edhe Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë.
Ai gjithashtu ka marrë pjesë në kremten e Listës Serbe dhe simpatizantëve të saj. Gjuriq ka akuzuar institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se kanë dashur që komunitetit serb në Kosovë t’ia imponojnë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në institucionet qendrore të Kosovës.
“Të gjithë kanë dashur që përfaqësuesit serb t’i zgjedhin në vend të serbëve. Vendet e QUINT-it kanë dashur t’i zgjedhin përfaqësuesit e serbëve. Këtë ka dashur ta bëj edhe Prishtina. Të gjithë kanë dashur ta bëjnë këtë përkundër dëshirës së serbëve. E pra, kjo nuk mund të bëhet. Populli serb në Kosovë i ka zgjedhur përfaqësuesit e saj legjitim dhe i është përgjigjur thirrjes së Aleksandar Vuçiqit. Serbia dhe populli serb janë fituesit e vërtetë dhe absolut këtu në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën u ka thënë medieve serbe se Lista Serbe ka arritur rezultat të mirë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe i ka falënderuar serbët e Kosovë, për siç ka thënë ai, disiplinën e treguar. Sipas tij, rezultati i Listës Serbe nuk është i kënaqshëm për qarqe të caktuara ndërkombëtare dhe për shqiptarët, të cilët, siç ka thënë ai, dëshirojnë të kenë kontrollin mbi serbët.
“I falënderoj serbët që kanë qenë të disiplinuar dhe kanë votuar për interesat e veta dhe kanë treguar se dëshirojnë vazhdimin e bisedimeve, vazhdimin e dialogut. Ata jetojnë në atë territor dhe dëshirojnë të kemi dialog serioz me shqiptarët, por edhe e dinë se duhet t’i ruajmë interesat serbe, por edhe të Serbisë në Kosovë”, tha Vuçiq.Presidenti i Serbisë gjithashtu ka komentuar rezultatet e subjekteve politike shqiptare, duke e quajtur fitoren e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, si fitore të koalicionit “luftarak, terrorist” ose “koalicion i veteranëve”, të cilët, siç ka thënë ai, i kanë kërcënuar gjithmonë dhe hapur serbët.
Lëvizjen e Vetëvendosje ai e ka cilësuar si lëvizje ekstremiste.Në anën tjetër, mbetet mjaft diskutabile nëse Lista Serbe do të pranonte të jetë pjesë e një Qeverie, të cilën do ta drejtonte një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Presidenti serb Vuçiq ka theksuar se mundësia e vazhdimit të bisedimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike fituese, kushdo që do të qeverisë Kosovën, do të paraqesë vështirësi për Serbinë, ndonëse dialogu, sipas tij, nuk ka alternativë.
Lamtumirë Nadal – demi përshëndetet me tenisin
Kumbaro uron një ditë të mbarë nga Parku i Madh i Tiranës
Gjermania do të furnizojë Ukrainën me 4 mijë dronë inteligje...
SHBA-ja e mbyll Ambasadën në Kiev shkaku i rrezikut nga sulm...
Kurti falënderon ushtarët bullgarë që shërbejnë në Kosovë në...
Pacolli: Peci nuk duhet të tentojë të devijojë vëmendjen duk...