Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka shprehur sërish kërkesat, plotësimi i të cilave do të mundësonte që partia më e madhe e serbëve të Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje, të cilat bashkësia ndërkombëtare i sheh si një rrugëdalje nga kriza aktuale në veri.
Këto kërkesa ai i ka bërë në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut, pas takimit me ish-të dërguarin special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Rakiq tha se “përfaqësuesit (politik) dhe populli serb në veri” kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, amnistinë e të gjithë serbëve të arrestuar që morën pjesë në barrikada apo protesta dhe dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të vendit.
“Dhe sigurisht, kushti i të gjitha kushteve është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rakiq në konferencën e përbashkët me Richard Grenell.
Takimin me Grenell, Lista Serbe e zhvilloi në veri të Kosovës, ku tensionet janë rritur javët e fundit. Serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të 23 prillit dhe nuk i pranojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Grenell tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të bisedojë me përfaqësuesit politikë të serbëve dhe se “de-përshkallëzimi nuk ndodh në Bruksel”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kanë qëndruar të enjten në Bruksel, me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç është thënë, bisedimet do të kenë në fokus “menaxhimin e krizës”.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vijë dhe të dëgjojë këta njerëz. Dëgjoj shumë shqetësime këtu sot dhe besoj se do të gjendej rruga, sikur komuniteti ndërkombëtar të vinte (për të biseduar)”, tha Grenell.
Ai ishte ambasador i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë administratës së Donald Trump, i cili e emëroi në atë pozitë.
Rreth një vit pasi Joe Biden u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë filloi të merret Gabriel Escobar, i cili u emërua zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për çështjet evropiane dhe euroaziatike të Departamentit të Shtetit.
Grenell tha se për të ishte “zhgënjyese që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar në tre vitet e fundit”.
“Ne po ecnim në një rrugë të mirë, drejt normalizimit ekonomik dhe unë mendoj se këtu e duan paqen, punësim të mirë”, tha ai.
Gjatë mandatit të Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin të marrëdhënieve ekonomike.
Në shkurt të këtij viti, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, e ka dekoruar Grenellin me rastin e Ditës së shtetësisë. Në fjalimin e tij, Vuçiq ka deklaruar se Grenell ishte “nga të paktët që ka tentuar të ketë qasje të balancuar dhe të dëgjojë Serbinë”./rel
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...