Lista për Familjen për doracakët e Edukatës Seksuale: Disa subjekte politike ta përvetësojnë kauzën tonë

15:24 | 15 Nëntor 2024
K.B

Lista për Familjen ka reaguar pasi ministria e Arsimit njoftoi se ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të miratuar në vitin 2020.

Në reagimin e tyre thuhet se ata ishin të parët që identifikuan anomalitë e lëndës së këtyre doracakëve, për t’i ngritur si shqetësim edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe se disa subjekte politike ta përvetësojnë kauzën e tyre.

Tutje thuhet se përplasja ishte aq e madhe sa i preku dhe edhe partitë e tjera, duke i dhënë rezultatet e para: tërheqjen e këtyre doracakëve nga përdorimi, shkruan Arbresh.info

“Ky ishte qëllimi ynë, të sensibilizohej opinioni publik për të këqijat që po i kanosen familjes. Jemi shumë të kënaqur që shfaqja jonë në skenën politike, ka filluar t’i zgjoj nga letargjia edhe partitë opozitare. Por ato duhet të marrin një pozicion të qartë. Nëse kundërshtohen doracakët, duhet të kundërshtohet krejt agjenda LGBTQ+, bashkë me hegjemoninë e terminologjisë që po tentohet të na imponohet, siç ishte fjala për “prindi 1 dhe prindi 2”. Le t’ua kujtojmë se vetë i pari i kryeqytetit ka dalë në të ashtuquajturën “parada e krenarisë”, ndërsa nuk ka marrë asnjë vërejtje nga subjekti të cilin e ka përfaqësuar në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale 2021. I njëjti subjekt, përherë e më dendur, po trumbeton se: vetëm e djathta është zgjidhje!”, thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi i plotë:

Këto ditë jemi dëshmitarë të një debati të zjarrtë që shpërtheu në lidhje me doracakët për edukim seksual dhe shëndet riprodhues. Gjithçka nisi pas denoncimit publik që Lista “për Familjen”, ia bëri Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), përkatësisht ministres Arbërie Nagavci, rreth përmbajtjes skandaloze të tyre.

Ishim ne të parët që i identifikuam anomalitë e lëndës së këtyre doracakëve, për t’i ngritur si shqetësim edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ministrja Nagavci, fillimisht, u mbrojt duk u ankuar se po keqpërdorej foltorja e parlamentit, por pak orë më vonë institucioni që ajo e drejton, doli me një njoftim publik nëpërmjet të cilit informoheshin qytetarët se “në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore, do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet tjera informative për mësimdhënës.” Pra, partia në pushtet, nga një pozicion vlerësues e promovues, u tërhoq në rishikim të tyre, duke e pranuar tërthorazi gabimin.

Përplasja qe aq e madhe, sa i preku edhe partitë e tjera, duke i dhënë rezultatet e para: tërheqjen e këtyre doracakëve nga përdorimi.

Ky ishte qëllimi ynë, të sensibilizohej opinioni publik për të këqijat që po i kanosen familjes.

Jemi shumë të kënaqur që shfaqja jonë në skenën politike, ka filluar t’i zgjoj nga letargjia edhe partitë opozitare. Por ato duhet të marrin një pozicion të qartë. Nëse kundërshtohen doracakët, duhet të kundërshtohet krejt agjenda LGBTQ+, bashkë me hegjemoninë e terminologjisë që po tentohet të na imponohet, siç ishte fjala për “prindi 1 dhe prindi 2”. Le t’ua kujtojmë se vetë i pari i kryeqytetit ka dalë në të ashtuquajturën “parada e krenarisë”, ndërsa nuk ka marrë asnjë vërejtje nga subjekti të cilin e ka përfaqësuar në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale 2021. I njëjti subjekt, përherë e më dendur, po trumbeton se: vetëm e djathta është zgjidhje!

Ne konsiderojmë se Projektkodi Civil (respektivisht nenet e tij kontestuese), Projektligji për Fertilizim dhe nisma të tjera ligjore që i hapin shteg agjendës LGBTIQ+, bashkë me këta doracakë, janë të të njëjtës frymë. Për këtë, jemi të bindur.

Lista “për Familjen” është e përkushtuar të luftojë deri në fund me mjete demokratike, që ajo që bie ndesh me kulturën dhe traditën, të mos gjej vend në mesin tonë.

Duket qartë se tashmë e kemi fituar fizionominë e një entiteti politik serioz.

Jemi zëri i ndërgjegjes së familjeve kosovare, e kushdo që dëshirohet të rreshtohet krah nesh për këtë kauzë, është më se i mirëseardhur!

LEXO EDHE:

Doracakët për edukimin seksual, MASHTI i largon nga përdorimi – formon komision të ekspertëve për procesin e rishikimit

Të ngjashme