Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga Kryeprokurori i Shtetit, ndaj vendimeve të gjykatës me të cilat kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte liruar nga akuza për veprën penale të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Një vendim i tillë është marrë nga kryetarja e trupit gjykues, Nesrin Lushta me anëtarë Mejreme Memaj dhe Rasim Rasimi.
Supremja ka argumentuar se pretendimet e Kryeprokurorit të Shtetit se aktvendimet e Gjykatës së Pejës dhe Apelit për hudhjen e akuzës ndaj Muhaxherit, ishin marrë në shkelje esenciale dhe shkelje të ligjit penal, ishin të pabazuara.
Supremja ka theksuar se Prokuroria me asnjë provë nuk ka argumentuar shkeljen e ligjit penal, e cila do të vërtetonte dyshimin e bazuar mirë se Gazmend Muhaxheri, ka kryer veprën penale të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Në kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë pretendohet se gjykata nuk mund të thirret në dy baza ligjore kumulative për lirimin e të pandehurit, siç ka vepruar Gjykata e Pejës, duke e liruar Muhaxherin me arsyetimin se në veprimet e të pandehurit nuk ka vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftushme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale.
Në këtë kërkesë, poashtu pretendohet se gjykata nuk i kishte dhënë mundësi Prokurorisë dhe palës së dëmtuar, që në fazën e shqyrtimit kryesor, të parashtrojnë argumentet e tyre.
Në anën tjetër, Supremja përkitazi me pretendimin e parë, ka theksuar ishte e vërtetuar fakti se aktakuza ndaj Muhaxherit ishte hudhur mbi dy baza ligjore, mirëpo sipas Supremes ky fakt, nuk ndikon në ligjshmërinë e aktvendimeve që kanë liruar Muhaxherin nga aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mirëpo, sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kjo shkelje nuk i bën aktvendimet e paqëndrueshme në aspektin ligjor sepse kemi të bëjmë me shkelje të natyrës relative, pa ndikim në ligjshmërinë e aktvendimeve”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Kurse sa i përket pretendimeve se Prokuroria nuk ka patur mundësi të parashtrojë provat, Supremja konsideron se jo çdo aktakuzë e ngritur duhet të shqyrtohet në shqyrtim kryesor.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, parimi akuzator nuk përcakton që sipas çdo akuze të ngritur duhet të caktohet shqyrtimi kryesor, ngase ky kod ka paraparë kontrollin gjyqësor të akuzës para se ajo të paraqitet në shqyrtim kryesor, me qëllim të evitimit të procedurave sipas akuzave të pabazuara dhe të paligjshme”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Supremja thekson se Gjykata e Pejës nuk kishin bërë shkelje të ligjit penal kur kishte ardhur në përfundim për hudhjen e aktakuzës ndaj të pandehurit Gazmend Muhaxheri, pasi sipas Supremes i dëmtuari ishte ftuar të paraqitet në vendin e punës .
“Bazuar në provat e lartëcekura, veçanërisht, faktin se i dëmtuari është kthyer në vendin e punës, ani pse në një pozitë tjetër, kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret veprimet e të pandehurit nuk hyjnë në sferën penale ngase nuk mund të konkludohet se ka refuzuar ekzekutimin e vendimit gjyqësor, ashtu siç përcaktohet në dispozitën e nenit 402 par.1 të KPPK-së”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Ndryshe, Gjykata e Apelit më 21 nëntor 2019, e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i akuzuar për mos ekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Gjykata Themelore në Pejë, në gusht të vitit 2019, e kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj Muhaxherit, që sipas gjykatësit të rastit, Sejdi Blakaj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Muhaxheri e ka kryer një vepër të tillë penale.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2017, Gazmend Muhaxheri akuzohet se më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.
Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.
Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte pezulluar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin se më 27.04.2015, kryetari i Komunës së Pejës i është drejtuar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, me kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj Hysni Selmanaj lidhur me dyshimin e bazuar se në mënyrë të kundërligjshme ka bërë tjetërsimin e pronës.
Pasi që hetimet ndaj tij kishin filluar, siç thuhet në aktvendimin e kryetarit Muhaxheri, duke e pas parasysh pozitën e Selmanajt, është vlerësuar se prezenca e tij në zyrë, i pengon hetimet.
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...