Gjykata Themelore në Prizren në mungesë të provave, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ganimete Babuna dhe Ares Shporta për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aktgjykimi është shpallur të martën nga gjykatësja Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Levent Kasemi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, Ganimete Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në cilësi të anëtarëve të komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, akuzoheshin se në mënyrë të kundërligjshme kanë përzgjedhur Fatmire Berishën si përfituese të ankandit publik për lokalin në sheshin “Shatërvan”.
Gjykatësja Krusha tha se të akuzuarit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Babuna dhe Shporta, lirohen nga akuza në mungesë të provave.
“Në pajtim me nenin 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës lirohen nga akuza, pasi që nuk është provuar se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, objekt i akuzës”, ka thënë Krusha.
Sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.
Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest civil. Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Të akuzuarit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, akuzoheshin se më 18 mars 2019 i kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese të pronës komunale ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte ofruar çmimin më të lartë për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim Berishës dhe se më këtë rast kanë shkelur kriterin e ankandit publik të paraparë me ligj.
Për këtë, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...