Google ADS

Lirohen aktivistët e AAK-së që u arrestuan gjatë aksionit simbolik para Qeverisë së Kosovës

15:05 | 2 Mars 2020
Arbresh.info

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë i ka lënë të lirë katër personat e ndaluar nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit që po zhvillonin para Qeverisë së Kosovës, pak minuta para seancës së jashtëzakonshme për çështjen e taksës 100 për qind.

Policia njofton se i ka shoqëruar katër persona për t’i intervistuar dhe më pas i ka liruar.

“Rreth orës 11:30, nga njësite policore të stacionit Qendra, janë shoqëruar katër persona, për një aktivitet që është mbajt sot në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Intervistimi i organizatoreve të aktivitetit dhe largimi i arkivolit është bërë me urdhër të Prokurorit te shtetit. Personat janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve dhe më pas janë liruar, ndërkohë që arkivoli pas ekzaminimit nga ana e njësiteve kompetente është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe, të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë realizuar sot një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke e vendosur një arkivol, që sipas të rinjve të AAK-së, simbolizon varrosjen e premtimeve nga Qeveria Kurti.

Të rinjtë e AAK-së në arkivol kanë vendosur mbishkrime “Reciprociteti”, “Parimet”, “Premtimet”, “Taksa 100 për qind”, etj.

Pas këtij aksioni të të rinjve të AAK-së, ka reaguar kjo parti duke dënuar ashpër arrestimin e aktivistëve të tyre.

“Dënojmë ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë”, thuhet në reagim.

Sipas AAK-së, trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme