Linja 3 e autobusëve operon krye në vete

11:04 | 23 Shtator 2017
Arbresh.info

Edhe një mandat shtesë e ka kërkuar kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti për të rregulluar transportin publik në kryeqytet. Për katër vite sa qeverisi transporti publik ishte në kaos të thellë.

Për gjendjen tejet të keqe të transportit publik, edhe në vitin e katër qeverisës të Ahmetit, më së miri flet operimi i linjës 3 të autobusëve.

Këtë linjë aktualisht e mbulojnë operatorët privatë dhe kanë marrë vendim që mos të lëshojnë më asnjë biletë mujore për askënd.

Për më keq, këta operatorë të cilët kanë 16 autobusë që enden rrugëve të Prishtinës, që nga janari i këtij viti operojnë pa mbikëqyrjen e askujt. Janë jashtë autoritetit të “Trafikut Urban”, pasi u ka skaduar kontrata dhe nuk është ripërtërirë më.

Tash, autobusët e kësaj linje enden kur të donë dhe si të donë.

“Linja nr 3 është operator privat. Prej janarit të vitit 2017 me këtë linjë ne nuk kemi kurrfarë kontrate. Këta po operojnë ashtu si po operojnë, jashtë organizimit tonë. Kjo do të ndodhë deri sa të na vinë autobusët e rinj, edhe 21, pastaj ato linja do ti mbulojmë ne dhe ata duhet të largohen”, tha për lajmi.net Hafir Hamiti, sekretar në Ndërmarrjen “Trafiku Urban”.

Hamiti tha se operimi i tyre është si ata organizohen vetë. Sipas tij, ata e kanë ne mes vete njëfarë orari, por jashtë sistemit të Ndërmarrjes.

“Diku i kanë 16 autobusë që operojnë . Pra, nuk kanë obligime më ndaj nesh, më herët e kanë bërë një pagesë formale ndaj nesh dhe kanë operuar brenda sistemit tonë. Linjat tona janë 1, 2,3,4. Ndërsa, 1-shin e kemi 50 me 50 me Fushë Kosovën, dyshin ashtu me Obiliqin, 3 dhe 4 janë tonat, por në mungesë të autobusëve, operatoret privat në këtë rast linja nr 3 na e ka ruajtur linjën tonë”, shtoi tutje Hamiti.

Sipas një shkrese të vendosur brenda autobusëve të kësaj linje thuhet se ata operojnë në kandër të “Trafikut Urban”, dhe mandej mund te shpërndajnë edhe gjoba nëse nuk zbatohen disa urdhëresa te tyre të vendosura së voni.

“Lajmërohen të gjithë pasagjeret e linjës Nr 3 në Prishtinë se prej datës 01.09.2017 nuk vlen asnjë mujore e lëshuar nga “Trafiku Urban” duke përfshirë edhe mujoret e pensionistëve. Gjithashtu çdo pasagjer prej moshës 7 vjeçare është i obliguar të paguaj biletë në të kundërtën pëson gjoba në vlerë prej 5 eurove”, thuhet në një lajmërim të ngjitur brenda autobusëve të linjës nr 3”.

Ndryshe, kjo linjë ka një qarkullim të madh nëpër kryeqytet dhe mbulon pikat nga Lagjja“Kodra e Trimave” (te hotel “Princi i Arbrit”.) – L “Kodra e Diellit” (zona e jugut), dhe Linja nr. 3/A: Rr. “27 Nëntori” – Lagjja e Spitalit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme