Google ADS

Linçimi e kërcënimet online të aktivistëve të Vetëvendosjes me peshë në pushtet

08:22 | 2 Maj 2020
Arbresh.info

Sociologu dhe eksperti i rrjeteve sociale shpjegojnë gjuhën e frustrimit, shantazhit, hakmarrjes dhe rivalitetit ekstrem të mbështetësve të Vetëvendosjes

Mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje tash e sa vite nuk hezitojnë që në mënyra publike të kërcënojnë personat që flasin kundër Vetëvendosjes.

E për këtë, sociologu Labinot Konushevci thotë për arbresh.info se, të njëjtën gjuhë e kanë pasur edhe qeveritë e kaluara, dhe kjo më shumë është gjuhë e frustrimit, shantazhit, hakmarrjes dhe rivalitetit ekstrem.

“Gjuha e kërcënimit zakonisht merr peshë në pushtet. Të njëjtën gjuhë e kanë pasur edhe qeveritë e kaluara. Ajo më shumë është gjuhë e frustrimit, shantazhit, hakmarrjes dhe rivalitetit ekstrem. Asnjë qeveri nuk po mundet ta pranojë mendimin ndryshe ose pluralizmin politik në qëndrime”, tha ai.

Sipas tij, Institucionet që duhen parandaluar apo dënuar gjuhën e kërcënimit janë inferiore.

“Kjo gjuhë po manifestohet edhe në komunikimet tjera publike. Institucionet që duhen parandaluar apo dënuar gjuhën e kërcënimit janë inferiore. Realiteti është ky: qeveritë e kaluara dhe mënyra e njëjtë e qeverisjes duhet të ndërrojë që të mos përsëriten pasojat e njëjta politike, ekonomike dhe sociale, por jo me obsesionimin e kërcënimit dhe hakmarrjes, duke harru premtimet politike dhe nevojat e qytetarëve”, tha Konushevci.

Ndërsa, eksperti i rrjeteve sociale në Komunitetin për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, Mentor Hoxhaj, vlerëson se, kërcënimet online janë kërcënime që duhet marrë seriozisht derisa të vërtetohet e kundërta.

“Pavarësisht mbështetës te cilësdo parti që janë. Kërcënimet online janë kërcënime që duhet marrur seriozisht derisa të vërtetohet e kundërta. Unë kam shpjeguar disa here, që përgjegjësia penalo juridike  në hapësirën kibernetike është e njëjtë me hapësirën fizike. Iluzioni i krijuar se për aktivitet ne hapësirën kibernetike nuk jep përgjegjësi është i gabuar”, thotë ai për arbresh.info.

Hoxhaj thotë se mendimi që në hapësirën kibernetike nuk mund të identifikohesh është i gabuar.

“Po ashtu, është i gabuar mendimi që në hapësirën kibernetike nuk mund të identifikohesh. Andaj ne kërkojmë që me hapësirën kibernetike duhet te sillemi me përgjegjësi dhe mirësjellje”, ka thënë ai.

Kujtojmë se, aktivistët e këtij subjekti njihen për veprime të tilla, ku dhuna dhe kërcënimet bëhen në vazhdimësi prej tyre.

Së pari e filluan me gaz lotsjellës në Kuvend për të vazhduar më pas me dhunën e tyre edhe në rrugët e kryeqytetit gjatë protestave në Prishtinë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme