Google ADS

Limaj tregon si iu ofrua posti i ambasadorit në SHBA

21:58 | 24 Nëntor 2017
M. A.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj që është shpallur i pafajshëm nga gjykata për “Rastin MTPT”, sa ishte ministër i Transportit dhe Post-telekomunikacionit, ka shpalosur në Klan Kosova se si atij i ishte ofruar posti i ambasadorit në SHBA, vetëm e vetëm të largohet nga ministria dhe të ikën nga Kosova.

“Por, ikjen dhe fshehjen e bëjnë njerëzit e ligë, unë nuk ikë nga vendi im dhe nga punët e mia”, ka pohuar Limaj.

“Ndërkombëtarët kanë pasur oferta për mua. Kam pasur ofertë të jem ambasador në SHBA për të hequr dorë nga ministria”, ka shtuar ai.

Pastaj Limaj ka treguar se si ndërkombëtarët i thonin se nuk bën të ndërtohet autostrada e Kosovës për Shqipëri, e aeroporti “Adem Jashari” të privatizohet.

“Më kanë thënë që nuk bën të bëhet autostrada, janë munduar një herë që të më bindin se nuk bën ekonomikisht është e pafavorshme, pastaj më kanë thënë se nuk bën të ndërtohet autostrada pasi Serbia po ndjehet e kërcënuar nga Bashkimi Kombëtar. Por, unë e kam thënë se autostrada do të fillojë dhe do të përfundojë – madje kjo për Serbinë vetëm ma ka shtuar motivin”, ka thënë Limaj.

“Pastaj për aeroportin; një herë donin ta privatizonin, por kam thënë jo, s’mund ta privatizojmë një ndërmarrje rentabile. Më pas kanë shkuar të bëjnë projekt publiko-privat. Donin ta lëshonin për 35 vjet koncesion, por unë refuzova, thash jo; vetëm 20 vjet do ta lëshojmë. Tani është i vetmi aeroport në rajon që është i lëshuar për vetëm 20 vjet. Edhe pak vjet dhe tani i kthehet Kosovës”, ka përfunduar ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme