Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në të ashtuquajturën finale të bisedimeve me Serbinë.
Duke folur për takimin e thirrur nga BE-ja mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, Limaj ka thënë se të dielën do të jetë vetëm një takim i radhës së presidentëve dhe se nuk do të flitet për finalen mes dy vendeve.
“Jemi të interesuar që të ndërtojmë një konsensus më të gjerë për finalen. Duhet të jemi serioz dhe të jemi të përgjegjshëm para situatës në të cilën gjendemi. Të jemi më të bashkuar rreth asaj që na pret. Tani është një qëndrim që e kemi bërë të qartë, ne duam një proces kredibil që reflekton besueshmëri dhe transparencë. Grupet e parlamentit duhej të ishin të angazhuara në procesin final e posaçërisht parlamenti. Duhet të marrim obligim që pika që mandatohet nga parlamenti, t’i referohet parlamentit dhe të implemetohet në tërësi”, ka thënë Limaj.
“Presidenti i Kosovës mund të takohet me secilin personalitet të rangut të tij, ne po flasim për një temë krejt tjetër. Nëse flasim për një çështje finale, ajo nuk është çështje e një individi. Ne po flasim për një marrëveshje mes dy shteteve. Është jetike ajo marrëveshje. Duhet t’i qasemi me seriozitet. E kaluara na ka treguar se aranzhmanet individuale kanë sjellë në vështirësi marrëveshjet e arritura.
Unë e shoh një takim të radhës mes Thaçit e Vuçiqit. Finalja duhet të shkojë përmes parlamentit. Thaçi nuk mund të shkojë të bëjë marrëveshje pa miratimin e forcave tjera. Nuk është çështje individuale. Në tryeza është parlamenti. Aty shprehet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jenë të përfshira të gjitha institucionet qendrore. Kështu dalim më të fuqishëm dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se parlamenti nuk duhet të vendos se kush do të përfaqësojë Kosovën në finalen me Serbinë, por sipas tij, duhet të caktohen pikat që do të bisedohen.
“Parlamenti duhet të mandatojë pikat që duhet të negociohen. Nuk mund të përjashtohen presidenca, qeveria apo parlamenti. Askush nuk duhet të shkojë drejt përjashtimit, por duhet të shkojmë drejt unifikimit. Presidenca, qeveria dhe parlamenti duhet të marrin përgjegjësi dhe asnjëri nga këta institucione nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai./Koha.net/
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...