Limaj: Duhet t’i kthehemi dialogut, asnjëherë s’kemi humbur nga bisedimet

22:22 | 18 Shtator 2019
L G

Kryetari i NISMA-s dhe njëherësh kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj ka theksuar se partia e tij ka merita të mëdha që për zgjedhjet e tetorit është duke u zhvilluar një garë interesante dhe e barabartë.

“Në të kaluarën partitë i kanë shpalosur objektivat, tani është një mundësi reale edhe për qytetarët sepse kandidatët për kryeministër drejtpërdrejt po ballafaqohen me qytetarët dhe po e sqarojnë atë çfarë janë objektivat e tyre”, ka thënë Limaj.

Sipas tij nëse NISMA do të shkonte me njërën prej grupeve apo partitë politike atëherë gara do të ishte e mbyllur dhe fitorja e atij grupi do të ishte e sigurt.

“Ne kemi marrë një vendim strategjik edhe për partinë, por njëkohësisht kam vlerësuar se është një moment i rëndësishëm që t’u jepet mundësi të gjitha grupeve politike që në mënyrë të barabartë të dalim para qytetarëve. Neve na kanë shkuar tri vjet garë në parlament se kush është partia e parë. Tani është ajo mundësi dhe mendoj se NISMA e ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që ta kemi një garë çfarë e kemi sot – shumë të barabartë dhe shumë interesante, si një mundësi që përmes angazhimit dhe shpalosjes së programeve të tyre secili kandidat për kryeministër apo parti politike të ketë mundësi që nesër të jetë në drejtim të institucioneve në vend”, ka shtuar Limaj në RTK.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Limaj ka thënë se ai e di çka e pret vendin dhe qeverinë e Kosovës pas formimit të saj.

“Pozicioni ynë është se Kosova asnjëherë nuk ka humb nga tavolina e bisedimeve. Kosova duhet shumë seriozisht t’i kthehet tavolinës së bisedimeve me shumë kompetencë e me kujdes me partneritet me miqtë tanë. Kur jeni në tavolinë mund të refuzoni opsione të ndryshme, por asnjëherë nuk mund t’ia ktheni shpinën tavolinës dhe të ikni, ajo është e dëmshme për vendin. Ne si Kosovë duhet të jemi në tavolinën e bisedimeve”, është shprehur Limaj.

Ai ka thënë se si parti e kanë qëndrimin e tyre për këtë çështje. “Ky dialog që po vjen duhet ta ketë një emërtim. Kosova është futur në dialogun në Rambuje për ta ndërprerë luftën, pra kanë qenë negociata për paqen, kanë pasur emër ato negociata. Më pas kemi pasur negociatat në Vjenë për statusin dhe nga ato negociata ka ardhur pavarësia”, ka shtuar tutje lideri i NISMA-s.

Ai ka thënë se gabimi më i madh ka qenë hyrja në bisedimet teknike në Bruksel. Por tash sipas tij jemi para këtij realiteti dhe ato bisedime teknike kanë prodhuar dokumente, disa prej të cilave janë obligime ndërkombëtare si shtet.

Limaj vlerëson që sa më parë duhet t’i kthehemi tavolinës së bisedimeve dhe të përmbyllet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“E rëndësishme është të shkojmë të ulemi në tavolinë dhe së bashku me partnerët tanë  t’i bëjmë të gjitha përpjekjet tona  që me përmbyllë një herë e mirë  marrëveshjen me Serbinë që brenda e ka njohjen dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar”, është shprehur Limaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme