Google ADS

Limaj do të kalojë gjysmën e shtatorit në Gjykatë

20:31 | 13 Korrik 2017
Arbresh.info

Gjithsej 17 ditë vetëm në muajin shtator janë caktuar për mbajtjen e procesit gjyqësor kundër Limajt dhe të tjerëve.

Në procesin ku Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre janë caktuar datat e muajve të radhës për mbajtjen e procesit gjyqësor.

Pothuajse gjysmën e muajit shtator parashihet që Fatmir Limaj së bashku me 4 personat tjerë me të cilët akuzohet, të paraqiten në gjykatë për t’u ballafaquar me akuzat e prokurorisë në procesin gjyqësor i cili po vazhdon tash e 8 vjet.

5, 6, 7, 11, 12, 13, 14, 15, 18, 19, 20, 21, 22, 25, 26, 27 dhe 28 korrik janë datat e seancave të caktuara nga trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendor.

E për këtë vendim, reaguan avokatët mbrojtës të cilët thanë se kanë edhe seanca tjera të caktuara në raste të ndryshme në disa prej këtyre ditëve.

“Të përshpejtohet, por jo me leju prokurorinë me gjëra të panevojshme”, tha avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj.

“Na keni stërngarkuar, ne kemi pasur marrëveshje që të kemi 5-6 seanca brenda muajit, sepse ne avokatët kemi edhe seanca tjera”, shtoi ai.

Po ashtu, Blerim Prestreshi, avokati i të akuzuarit Florim Zuka në emër të klientit të tij kërkoi që më 18 korrik të mos mbahet gjykimi për hir të një ahengu familjar ku do të aplikohen traditat e vendit.

“Për 18 korrik, klienti im e ka një aheng familjar- bëhet fjalë për martesën e nipit me të cilin ka bashkësi familjare. Zakonet tona kërkojnë që në ahengjet familjare të jesh i pranishëm nga mëngjesi deri në darkë. Me mirësi kërkoj që t’i respektoni zakonet tona dhe në këtë mënyrë që me të 18 të mos mbahet seanca”, tha Prestreshi.

Kjo kërkesë u refuzua menjëherë nga gjyqtarja Tuma, ndonëse tha se i respekton traditat e vendit.

Kundër vendimit reagoi përsëri avokati Prestreshi, i cili tha “do të ishte shumë e pahijshme që një anëtar i familjes të jetë në gjykatë në një ditë si ajo”.

Replikë pati përsëri edhe nga gjyqtarja, e cila nuk e ndërroi vendimin e saj.

“Seanca për 18 korrik është caktuar shumë më parë, në qoftë se është aq e rëndësishme që të jesh prezent në aheng atëherë le te mbajnë në një datë tjetër”, tha Tuma.

Gjatë seancës, prokurori Hardaway bëri të ditur se edhe 26 persona pritet të dëshmojnë, por i njëjti paralajmëroi rishikim të listës, me ç‘ rast edhe pritet të reduktojë numrin në 18 dëshmitarë.

Në mes të këtyre dëshmitarëve, u bë e ditur se do të ketë edhe dëshmitarë potencialë ndërkombëtarë për të cilët do të informohet gjykata.

Më tej, vazhdoi dëshminë e tij Ali Aliu.

Me të filluar marrjen në pyetje nga prokurori Hardaway, i akuzuari Limaj reagoi kundrejt pyetjeve të prokurorit duke pretenduar se po u referohet provave të cilat janë shpallur të papranueshme.

“Prokurori ka fillu t’u referohet provave të shpallura të papranueshme me vendim të gjykatës. Prokurori t’i mbyllë dhe t’i largojë të gjitha provat e papranueshme pasi që me aktvendimin e gjykatës themelore të gjitha bisedat pas datës 6 prill 2008 janë të papranueshme, sepse nuk kanë bërë kërkesë për vazhdimin e masave të fshehura”, tha Limaj.

Por, seanca u ndërpre për shkak se u kërkua prezenca e anëtarit të trupit gjykues, Isuf Makolli, në një rast tjetër si kujdestar i javës.

Ashtu që në gjykimin e radhës përsëri do të vazhdohet me marrjen në pyetje të dëshmitarit.

Në këtë gjykim, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme