Limaj: Aq shumë më kanë hetuar ndërkombëtarët, thua se e kam nisë Luftën e Parë Botërore

22:47 | 26 Tetor 2020
L G

I pari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka folur rreth përballjes së tij shumë vjeçare me organet e drejtësisë.

Ish-komandanti i UÇK’së, që akuzohej për vrasjen e dy civilëve shqiptarë në tetor të vitit 1998 në rajonin që ishte nën komandën e tij, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës më 2005.

“Unë jam prej njerëzve që më se paku e kam shijuar lirinë e Kosovës. Vetëm 4 vjet, plotë 14 vjet të tjera jam endur nëpër gjykata. Aq shumë hetime dhe procese ndaj meje kam pasur, më duket vetja që e kam nisur Luftën e Parë e të Dytë Botërore”, ka thënë Limaj në Syri TV.

Limaj, ishte përballur edhe dy herë tjera me akuza për krime lufte.

Në vitin 2012 dhe në vitin 2013, dy herë radhazi, Limaj u shpall i pafajshëm në dy procese gjyqësore.

Në këto procese gjyqësore, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij, akuzoheshin se kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, në një qendër paraburgimi të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Kleçkë në komunën e Malishevës.

Ish-zëvendëskryeministri ishte përballur edhe me një proces tjetër gjyqësor i akuzuar për korrupsion gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve dhe i Telekomunikacionit në vitin 2010, nën qeverisjen e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi.

Edhe në këtë proces gjyqësor, që zgjati më shumë se gjashtë vjet, Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm.

Të ngjashme