Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Kosovës, Ramë Likaj, ka nxjerrë një reagim ndaj kritikave dhe akuzave që i janë ngarkuar për të kaluarën dhe kapacitetin e tij akademik.
Likaj, ka thënë se ai nuk zmbrapset nga ato që ai i ka quajtur shpifje me tendenca kundër tij dhe Universitetit të Prishtinës.
Ministri ka theksuar se akuzat kundër tij, që vinë nga një organizatë pa kredenciale profesionale për të vlerësuar publikimet akademike, qëllim kanë influencimim e zgjedhjeve të reja në Universitetin e Prishtinës, ku do të zgjidhet rektori i ri dhe dekanët.
Ndryshe, gjatë të premtes,Organizatat joqeveritare dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur bashkë në një kërkesë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit të cilit i kërkojnë që ta largoj nga detyra e tij, ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe zëvendësin e tij, Driton Bardheci.
Reagimi i plotë i ministrit Likaj:
Të nderuar qytetarë,
Më lejoni t’ju mirinformoj dhe siguroj që shpifjet për punën dhe publikimet e mia akademike janë të pabaza, tendencioze dhe të orkestruara jo vetëm në diskreditim timin personal por si vazhdimësi e shantazheve dhe presioneve ndaj Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si tendencë për të ndikuar në zgjedhjet e reja në UP për përzgjedhjen e Rektorit dhe dekanëve të njësive akademike. Këto sulme janë të drejtuara edhe kundër punës së mirë që kam filluar si Ministër i MASh.
Shpifjet dhe shantazhe të tilla të orkestruara nuk më zmbrapsin nga përkushtimi dhe përgjegjësia ime në pozitën e re si Ministër, sikurse që nuk mund të cenojnë në asnjë moment punën time akademike.
Puna ime dhe të arriturat akademike të kujtdo brenda janë subjekt i vlerësimit dhe aprovimit nga UP. Të gjitha publikimet e mia, të cilave mund t’i qaseni kurdo dhe nga të gjithë, nga platforma si Research Gate apo Google Schoolar, të gjitha me numër shumë të madh të citimeve, në platformat e njohura Scopus, Web of Science, DOAJ, EBSCO etj. Shpifjet si kjo kanë marrë përgjigje të prerë me vendimin e Këshillit të Etikës me nr. 3/965 të datës 19.11.2019 dhe nga Këshilli i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të datës 23.12.2019. Një kronologji të këtyre dëshmive mund ta gjeni të bashkangjitur si shtojcë në këtë reagim.
Gjithashtu, ju bëj me dije se asnjë nga punimet e mia dhe të kolegëve të mi nuk është tërhequr nga platforma Scopus.
Përkushtimi dhe puna ime 26 vjeçare në UP, nga viti 1994, është vlerësuar e filtruar nga komisione vlerësuese profesionale, botues të revistave shkencore, komisione vlerësuese të njësisë akademike, këshillit të fakultetit, trupa këshillëdhënëse të Rektorit dhe Senatit të UP-së; dhe atë, gjithmonë në përputhje me të gjitha kriteret e përcaktuara në Statutin e Universitetit të Prishtinës, Rregullores Nr. 465, dt. 02. 03. 2018, për emërim, riemërim dhe avancim dhe Urdhëresës Administrative 01/2018 të MASh për Parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension.
Transparenca në UP siguron llogaridhënie, mirëpo transparenca e kapur nga një organizatë e vetme ose edhe një grupi të interesit, përkundrazi, ka krijuar një mekanizëm shantazhues që keqpërdorë transparencën për sulme selektive e vëmendje mediale, jo për dobi të institucionit. Organizata si kjo që përfitojnë qindra mijëra euro në partneritet me UP, MASh-in, e në të njëjtën kohë gjuajnë me ngjyrë Rektorin, e me baltë institucionin, janë shembull tipik i hipokrizisë.
Ngritja e cilësisë në UP nuk bëhet me shantazhe nga jashtë, nga individë pa kredenciale profesionale dhe akademike, por nga mekanizma brenda universitetit. UP ka kapacitete të dëshmuara akademike, status dhe rregullore që garantojnë pavarësinë akademike të institucionit. Qenësisht besoj në përgjegjësinë që UP ka kundrejt opinionit për transparencë dhe llogaridhënie, dhe ky edhe do të jetë synimi im si Ministër.
Me bindje dhe përgjegjësi të plotë e them se përgjatë gjithë shkollimit tim dhe karrierës sime 26 -vjeçare profesionale, kam punuar shumë, ndershmërisht dhe asnjëherë nuk kam lejuar që me vetëdije të bëj diçka që do të dëmtonte imazhin tim, të familjes sime, të institucionit në të cilin punoj, dhe partisë të cilës i takoj.
Unë do të vazhdoj kokën lartë dhe me shumë përkushtim përgjegjësinë time si Ministër i Arsimit dhe Shkencës, kurse, shpifjeve dhe fyerjeve të orkestruara do t’u përgjigjem tutje me padi civile.
Ju faleminderit!
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë
Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të...
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë
Zelensky: Macron po na ndihmon në konsultimet lidhur me misi...