Dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, publikoi letrën që i është dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly. Ajo tha se kjo letër është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.
Duke adresuar tensionet e fundit në veri të Kosovës, përmes letrës u kërkua “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letër.
Në kohën e tensioneve në rritje, tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Kosova tha se ata u “rrëmbyen” brenda terrorit të saj, por Serbia tha se i arrestoi “thellë brenda” territorit serb. Policët u liruan më 26 qershor.
“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmeë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha në letër.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave kryesore të faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri, BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Megjithatë, Kosova është pajtuar me BE-në në një plan për shtensionimin e situatës, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.
Prishtina ka thënë se zgjedhjet në veri duhet të përgatiten, që të mos ketë bojkot sërish sikurse në zgjedhjet e 23 prillit.
Në këto zgjedhje, serbët lokalë dhe partitë e serbëve në Kosovës nuk morën pjesë.
Sa i përket zgjedhjeve, në letër u tha se Kosova është shtet i pavarur dhe “përpjekjet për të penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje nga jashtë”.
Si pjesë e planit të dakorduar mes Kosovës dhe BE-së javën e kaluar është ulur më tej prania e policisë në afërsi të komunave në veri të Kosovës, që janë të banuara me shumicë serbe./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...