Ligji që nuk i ndali lojërat e fatit

12:52 | 12 Gusht 2019
Arbresh.info

Rreth 300 metra larg objektit të Qeverisë së Kosovës, gjendet një lokal i vogël që vazhdon të funksionojë si bastore sportive, edhe pse me ligj lojërat e fatit janë të ndaluara në Kosovë.

Ndonëse tavolinat janë të zbrazëta dhe nuk mund të gjesh asnjë klient që rri aty dhe shikon ndeshjet e futbollit në televizorët e vendosur në mur, bastet mund të vendosen.

Brenda është vetëm një punëtor me një laptop, të cilit i është shtuar puna tani kur pritet të fillojnë sezonet e ligave më të forta të futbollit në Evropë dhe në botë.

Tiketa të bastoreve nuk mund të gjesh as në shportat e mbeturinave, mirëpo adhuruesit e sportit mund të vendosin bastet online. Dhe krejt kjo është në procedurë e thjeshtë.

Mund të luash edhe me vetëm një euro ose 50 centë, mirëpo tiketë nuk do të marrësh. Atë mund ta fotografosh në ekranin e laptopit, që ta kesh si dëshmi në rast se del tiketë fituese për t’i tërhequr paratë.

Shumica prej atyre që vendosin baste më shpesh, janë të abonuar dhe mund të luajnë pa frekuentuar fare këto lokale.

Lojërat e fatit janë ilegale pas hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të këtyre lojërave për 10 vjetët e ardhshme. Ky ligj, sipas avokatit të Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit, Granit Vokshi, ka bërë që kjo veprimtari të bëhet ilegale.

Vokshi ka komentuar arrestimet e ditëve të fundit nga Policia e Kosovës për organizim të lojërave të fatit në rajonin e Ferizajt dhe Vitisë, duke shtuar se lajme të tilla do të shohim çdo ditë, derisa një ligj i tillë është në fuqi.

“Unë besoj që kjo është pasojë e një vendimi të pa menduar mirë, fillimisht nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe pastaj Kuvendi i Kosovës, ku është votuar ky ligj, pa bërë një analizë të mirëfilltë të implikimeve të atij vendimi. Është më mirë që të vendoset një kontroll më rigoroz i veprimtarisë së lojërave të fatit, se sa që ato të ndalohen plotësisht ashtu siç janë ndaluar tani, meqenëse prapë po them ndalimi i atyre mund të çojë vetëm në kriminalizim të tyre”, tha Vokshi.

Lojërat e fatit u mbyllën pas vrasjes së dy punëtorëve

Berat Thaqi nga Instituti GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi Qeverisë së Kosovës për ndalimin e lojërave të fatit, ka qenë veprim i ngutur.

“Fillimisht është dashur të bëhet një paralajmërim dhe gjithashtu të vlerësohet a mund të ketë pasoja juridike sepse me sa dimë, ato biznese veç ka qenë duke funksionuar dhe nëse këto biznese kanë pasur licencë, atëherë edhe mund të rrezikohen nga ndonjë dëm buxhetor që mund të vijë nga gjykata. Prandaj, mendoj se është dashur të paralajmërohen këto biznese dhe pastaj të mbyllen”, tha Thaqi.

Vetëm gjatë muajit gusht, Policia e Kosovës, ka arrestuar dhjetëra persona në shumë aksione në komuna të ndryshme të Kosovës.

Të arrestuarit dyshohen se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme kanë organizuar lojëra të fatit edhe pse janë të ndaluara me ligj.

Po ashtu janë kryer disa aksione të bastisjes dhe janë sekuestruar dhjetëra kompjuterë.

Edhe mbrëmjen e së shtunës, Policia e Kosovës ka arrestuar në Ferizaj dy persona nën dyshimin për organizim i skenave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të këtij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme