Ligji për referendum, më shumë dëm se dobi për Kosovën?

08:28 | 11 Prill 2018
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do ta dërgojë projektligjin për referendum në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,  Albulena Haxhiu, në këtë konferencë tha se deri më tani asnjë qeveri nuk ka dërguar në Kuvend një projektligj të tillë.

“Ende nuk kemi parë asnjë iniciativë të asnjë qeverie për ta proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës projektligjin për referendum dhe duke qenë kështu ne si subjekt politik e kemi draftuar këtë projektligj dhe brenda kësaj jave do ta procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, bëri të ditur ajo.

Ndër të tjera Haxhiu ka treguar se çfarë përmban ky projektligj.

“Ne e kemi përgatitur draftin dhe aty ka tri lloje të referendumit, ku dy prej tyre janë detyrues (organizimi i qytetarëve për kundërshtimin e çfarëdo gjëje), por edhe referendumi konsultativ (kur Kuvendi e pyet qytetarin për një çështje apo kur qytetarët refuzojnë një ligj që është miratuar në Kuvend)”, ka thënë ajo.

Për këtë iniciativë të LVV-së, kanë folur përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të çështjeve politike.

Artan Murati nga KDI ka thënë për portalin Arbresh.info se çështja e referendumit është e komplikuar në Kosovë, kjo sipas tij për faktin se edhe me pako të Ahtisaarit dhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës nuk është shumë e qartësuar dhe vazhdon të ketë polemika rreth asaj se a e gëzon Kosova të drejtën e referendumit ose jo.

“Në këtë rast besoj që ligji do ta përcaktonte më qartë këtë kompetencë, ose  do ta rregullonte më mirë që të hiqen dilemat dhe të mos ketë telashe. Nuk shoh asgjë të keqe nëse kjo çështje do të rregullohej me ligj mirëpo përmbajtja e ligjit duhet të jetë asisoj që të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktet tjera të cilat janë përmbi ligjin, do të thotë duhet të respektohet hierarkia e normave juridike”, ka thënë ai.

Sipas Muratit LVV duhet të lobojë më tepër sa i përket këtij projektligji.

“Mendoj që secili grup parlamentar veç e veç duhet ta vlerësoj këtë iniciativë që ta përkrah ose jo, por LVV duhet të lobojë më tepër sa i përket këtij ligji nëse dëshiron që të kaloj në Kuvend sepse e dimë që nuk është klima më e favorshme politike për momentin në Kuvend që të presin që me automatizëm të marrë përkrahje nga grupet tjera parlamentare. Konsideroj që nëse dëshirojnë që me të vërtetë të kalojë ky projektligj duhet të shtrohen debate pak më gjerë, të ftohen grupet parlamentare në diskutim, shoqërinë civile, njerëz që merren me këto procese në mënyrë që ta shohin se cila do të ishte alternativa më e mirë e tek pastaj ta procedojnë tutje”, ka thënë ai duke shtuar se nuk duhet ngutur që të bëhen hapa të gabuar.

Mirëpo një gjë e tillë nga njohësit e çështjeve politike nuk po konsiderohet si pozitive.

Analisti i çështjeve politike, Bajrush Morina në një përgjigje për portalin Arbresh.info këtë iniciativë të Lëvizjes Vetëvendosje e ka quajtur si ‘humbje të rrugës në oborr të vetin’ dhe se sipas tij ‘tani po kërkon shtigje e rrugica për të shpëtuar veten nga katandisja’.

 “Vetëvendosje po e ndjen se përveçse ka humbur një numër të madh të deputetëve, një numër të madh të anëtarësisë, po tenton t’i rikthehet etnogjenezës së vet politike, referendumit për bashkim kombëtar. Vetëvendosje e di që ligji për referendum është i pamundshëm të miratohet sepse kërkohet ndryshimi I Kushtetutës ndërkaq ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa 2/3 e votave të minoritetit serb. Prandaj kjo kërkesë e Vetëvendosjes është kot së koti”, ka thënë ai.

Sipas tij për një referendum të tillë nuk janë të gatshëm jo vetëm shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por as shumica e popullit të Kosovës.

“Ne nuk po mund t’i bashkojmë në një treg të përbashkët shqiptar specat, domatet e kastravecat, e do të bëjmë bashkimin kombëtarë. Përrallat e Vetëvendosjes kanë marrë fund. Bashkimi kombëtar nuk bëhet as me ligje e as me referendum, bëhet më realitet, pa barriera, pa pika kufitare, pa taksa rrugore”, deklaroi ai.

Në anën tjetër Leon Duhanaj, njohës i çështjeve politike ka thënë se nëse në këtë fazë kërkohet e drejta për referendum, atëherë sipas tij kjo do t’u shkonte për shtati me shumë serbeve.

“Në marrëveshjen e Rambujesë, ka qenë e paraparë të bëhet një referendum ku shqiptarët do të votonin për të ardhmen e tyre politike. Kjo nuk ka ndodhë për arsye të ndikimeve të ndryshme në raportet ndërkombëtare. Tani, Kosova, është shpallë e pavarur, duke kërkuar mbështetje nga shtetet veç e veç. Për mendimin tim, nëse në këtë fazë, kërkohet e drejta për referendum, atëherë kjo do t’u shkonte për shtati me shumë serbeve se sa shqiptarëve. Shqiptarët, nuk kanë nevojë për referendum, që ta konsolidojnë shtetin e tyre, sepse shtetin e kanë. Ajo çfarë kërkohet është dashuria dhe respekti ndaj këtij shteti”, ka theksuar ai.
Sipas Duhanajt nëse sot kërkohet me referendum ndryshimi i gjendjes, apo kufijve duhet llogaritur që këtë do ta kërkojnë edhe serbët.

“Kjo do të thoshte ndarje të Kosovës. Nuk e di, por nuk do të befasohesha, nëse pikërisht ky të jetë qëllimi. Për mendimin tim, nuk duhet të ngutemi me nisma kinse patriotike, e të cilat rezultat final kanë interesat e huaja. Megjithatë, kjo le të mbetet çështje e të zgjedhurve të popullit që ta bëjnë zgjidhjen e duhur”, deklaroi ai për portalin Arbresh.info.

Edhe analisti Blerim Burjani tha se ligji për referendum nuk mund të bëhet vetëm nga një parti politike.

“Është një ligj kompleks për Kosovën dhe deri më tani nuk ka interesim për këtë ligj për arsye të ndryshme. Po të kishte Kosova këtë ligj kurdoherë do të kishte tentativë për gjithçka të kërkohet referendum. Edhe pse në esencë ky ligj është për qytetarët e jo për partitë politike pasi që ky ligj ndihmon qytetarët kur kanë dilema të deklarohen për disa çështje në nivel lokal apo qendror, mendoj që tentativa është të bëhet politikë”, ka thënë ai për Arbresh.info.

Portali Arbresh.info ka kontaktuar edhe me përfaqësues të partive tjera për t’i pyetur për këtë iniciativë, mirëpo ata nuk kane qenë të qasshëm./ V.B/Arbresh.info/

Të ngjashme