Kosova patjetër duhet ta bëjë Ligjin për Lustracion në mënyrë që të dihet se kush ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut dhe se kush e ka të kaluarën e errët.
Duke pasur parasheh që Qeveria asnjëherë nuk mori një nismë të tillë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka adresuar një kërkesë në Ministrinë Drejtësisë nga e cila kërkon që të hartojë ligjin për Lustracion. Kjo nismë e KMDLNJ-së është përkrahur edhe nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka treguar për KosovaPress arsyen pse ka nevojë që të miratohet një ligj, i cili do të bënte verifikimin e të gjithë atyre zyrtarëve publikë që kanë qenë pjesë kohën e ish- komunizmit.
“Të gjitha vendet e rajonit që kanë dal nga diktatura komuniste kanë pas detyrim ndërkombëtar , që ta miratojnë Ligjin për Lustracion dhe ta bëjnë verifikimin e figurave publike që kanë bartur poste më herët, por për fat të keq ato figura ende janë në pushtet në disa vende. E në Kosovë këtu janë me shumicë. Është një përpjekje që përmes verifikimit të figurave publike të eliminohet mundësia që të kemi shkelje të të drejtave të njeriut dhe ky është qëllimi kryesor. Nuk është qëllimi që dikujt t’i hakmerret , nuk është qëllimi që dikush të burgoset, përveç atyre që kanë kryer krime të rënda t’i nënshtrohet Ligjit të Procedurës Penale të Kodit Penal. Qëllimi është vetëm ta minimizojmë, ta pamundësojmë përsëritjen e shkeljes së të drejtave të njeriut”, tha Shala.
Qëllimi i kësaj nisme sipas Shalës është që me anë të një ligji të tillë të largohen nga postet e larta publike ata, të cilët kanë urdhëruar apo në mënyrë të drejtpërdrejt i kanë shkelur të drejtat e njeriut.
“Ne nuk e trajtojmë këtë ligj me përmendjen e emrave të veçantë po ne e trajtojmë si fenomen dhe mendojmë që do të hasim në përkrahje te deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tek Qeveria. Sepse në fund të fundit ky është një detyrim. Në qoftë se kjo rregullohet me ligj, formohet një komision i veçantë i pavarur , i pandikuar politikisht , atëherë do ta ketë besueshmërinë dhe thjesht do të krijohet një situatë ku viktima do të trajtohen si viktima ndërsa ata që janë përgjegjës do të largohen nga skena, qoftë politike, qoftë publike”, tha Shala.
Iniciativa e KMDLNJ-së është përkrahur edhe nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani, i cili edhe më herët ka kërkuar që të hapen dosjet e komunizmit, e përkrah iniciativën për të pasur një ligj, i cili do të verifikonte të kaluarën e secilit person publik.
Sipas tij , Kosova është vonuar shumë për inicimin e një ligji të tille.
“Një projektligj i tillë është dashur të jetë në vitin 2000 menjëherë pas përfundimit të luftës dhe pas çlirimit të Kosovës. Ligji për Lustracionin nuk është ligj kundër askujt , por është ligj që mbron një zhvillim të shoqërisë njerëzore, në këtë rast edhe të Kosovës. Këtë ligj e ka vendos edhe Gjermania , gjitha shtetet të tjera në raport me shtetet që kanë qenë pjesë e lindjes. Është dashur të jetë edhe tek ne një ligj i tillë edhe pse është i vonshëm. Megjithatë e mbështes çdo kërkesë që është të paktën , verifikimi i figurave publike. Verifikimi i figurave publike tregon zhvillimin e shoqërisë , familjare, individuale dhe gjithë shoqërisë që neve na kontribuon për të ardhmen një pasqyrë më e mirë e vendit tonë . Duke u munduar me i ik akuzave të njëri- tjetrit të formave të ndërsjella jo ka qenë ose nuk ka qenë , prandaj miratimi i një ligj i të tillë i jep , Kosovës në këtë rast shoqërisë sonë në përgjithësi një zhvillim më të mirë edhe një pastërti për të ardhmen që fëmijët tanë mos ta kenë hipotekë të kaluarën”, tha deputeti Hasani.
Një Ligj për Lustracion e përkrah edhe Haxhi Shala, deputet i Nismës dhe njëherësh kryetar Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.
Shala tha për KosovaPress se Kosova është dashur shumë më herët ta hartojë një ligj të tillë.
“Kjo iniciativa e nxjerrjes së një ligji të Lustracionit është e vonuar deri më tash në vendin tonë. Kjo është dashur më herët të nxirret së paku udhëheqësit e lartë të shteteve mos të zgjidhen me një të kaluar të dyshimtë nga qytetarët tanë. Unë besoj që është një iniciativë e mirë apo kushdo qoftë që e bën këtë ligj dhe e sjell në parlament sa më shpejt edhe ne ta kemi edhe Ligjin e Lustracionit. Të dimë se me të vërtetë se kush duhet të udhëheq këtë vend. Po shihet se në vendin tonë janë duke udhëhequr njerëzit ose fëmijët e atyre të cilët këtë vend e kanë dërguar drejt Serbisë. Deri më të tani nuk kemi bërë asgjë , lidhur me këtë. Nuk ka bërë as AKI-ja , për arsye se nuk kemi pasur ligj. Në momentin kur nxirret ky ligj atëherë do të kemi bazë ligjore , edhe mbi bazën ligjore mund të bëhet verifikimi i duhur i njerëzve së paku i pozitave të larta në pushtet ?? ?, tha Shala.
KosovaPress ka tentuar për tri ditë rresht të marr një deklaratë edhe nga ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Ndryshe në KMDLNJ shpresojnë që kjo iniciativë të përkrahet nga shoqëria civile, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Qeveria, Presidenca dhe institucionet tjera relevante.
Mungesa e sinjalizimit paraqet rrezikshmëri të lartë në traf...
Ana i dërgon një dhuratë Kevinit, reagimi i tij do ju befaso...
Lituania do të financojë prodhimin e dronëve ukrainas me rre...
Plagosja me thikë e 32-vjeçarit në Durrës, shkak dyshohet ko...
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre