Ligji për Konfiskimin e Pasurisë, Gashi: Askush të mos ketë frikë se do ketë revanshe politike

01:00 | 30 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Avokati Tomë Gashi ka folur në lidhje me Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se askush nuk duhet të ketë frikë se do të ketë revanshe politike.

“Kjo fillimisht nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje po u përmbahet atyre që i ka thënë para zgjedhjeve, njëri prej premtimeve që është premtuar me vite të tëra, ministrja Albulena Haxhiu, e cila edhe kur nuk ka qenë në pushtet ka bërë iniciativa të tilla, të nxirret një ligj, i cili faktikisht që e bën krejtësisht në mënyrë ligjore të mundshme të konfiskohet pasuria, e cila nuk mund të justifikohet”.

“Ky ligj do të aplikohet nga viti i ardhshëm, besojmë sa më shpejt që është e mundshme, kështu ka premtuar edhe kryetari i parlamentit, se ky ligj do të hyjë në procedurë të votimit në Parlamentin e Kosovës i përshpejtuar dhe pastaj në periudhë kohore prej gjashtë muajve do t’u lihet agjencive të caktuara, që të kenë mundësi të veprojnë në kuadër të këtij ligji, për të filluar hetimin, pastaj rastet do të dërgohen në gjykatë, është një departament special, askush nuk duhet të ketë frikë se do të ketë revanshe politike”.

“Nuk ka gjasa teorike që ky ligj të përdoret për revansh ndaj dikujt, për arsye se më pas do ta humbte kuptimin dhe ky ligj nuk do të kishte një jetëgjatësi. Besoj se qeveria Kurti nuk është duke e nxjerrë këtë ligj në të ardhmen që të jetë në fuqi, derisa qeveria Kurti është, por besoj se qytetarët e Kosovës do t’i shohin të mirat nga ky ligj”, ka thënë Gashi.

Të ngjashme