Deputetët e Kuvendit të Kosovës konsiderojnë që Ligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës duhet të ndryshojë, pasi që sipas tyre, në ligj ka festa të cilat nuk përputhen me realitetin. Deputetët thonë po ashtu se në ligjin aktual ka festa fetare të cilat janë shndërruar në festa shtetërore.
Deputeti Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja ka kërkuar ndryshimin e ligjit me rekomandimin për të zvogëluar numrin e festave zyrtare dhe harmonizimin e ligjit me standardet e Bashkimit Evropian.
“Në ligj kemi mjaft festa që nuk janë kredibile në Bashkimin Evropian. Është rritur numri i festave për shkak të komuniteteve dhe për shkak të rrethanave politike që janë krijuar në Kosovë. Ndërsa, plotësim-ndryshimi i amendamenteve duhet të shkojë në drejtim të zvogëlimit të festave zyrtare dhe njëherësh dhe përcaktimit të asaj që kur është ditë pushimi që ajo ditë të mbetet feste dhe të mos bartet në ndonjë ditë tjetër”, tha Hasani.
Ligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës në ditët në vazhdim pritet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, por aktualisht, sipas Hasanit, ai është i bllokuar si pasojë e çështjeve politike.
“Ne kemi festë të Kushtetutës, në kemi festë të 1 majit, të 9 majit ditës së Evropës, ku në Evropë asnjëra prej këtyre nuk festohet. Do të thotë ka kundërshtime, kështu që ne i kemi tri festa të cilat nuk përputhen me realitetin. Tani kemi festat fetare te cilat janë shndërruar në festa shtetërore. Festat fetare duhet të jenë festa fetare e jo shtetërore, sepse Kushtetuta e përcakton shtetin laik e jo fetar”, tha Hasani.
Ndërkaq, deputetja Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se ligji duhet të ndryshohet dhe të punohet në të më shumë.
“Ligji duhet të rishikohet, nuk është e arsyeshme të kemi një numër kaq të madh të ditëve të pushimit dhe sidomos të shfrytëzohen rastet e tilla për shtimin e ditëve kur nuk punohet në institucione publike, qoftë duke i lidhur festat, siç ka pasur raste jo të rralla, pra kur festa ta zëmë bie ditën e enjte, institucionet pushojnë edhe të premten, apo nëse festa bie të martën, nuk punohet as të hënën”, tha Nagavci.
Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, vitin e kaluar ka formuar komisionin për nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, deputetët e komuniteteve kanë kërkuar data të caktuara për t’i shënuar si ditë memoriali.
Kryetari i komisionit, deputeti Veton Berisha nga radhët e komunitetit egjiptian tha për Radion Evropa e Lirë, se gjatë shqyrtimit të ligjit ka pasur mendime të ndryshe për atë se çka duhet të hiqet dhe çka duhet të vendoset në ligj. Ai tha se ligji ende nuk është shqyrtuar në seancë të Kuvendit, por pritet të ndodh së shpejti.
“Ideja jonë për amandamentim ka qenë për ditët e komuniteti egjiptian dhe dy ditë për komunitetin serb, që nuk janë ditë që duhet të pushohet, por janë ditë memoriale që vet komuniteti e shënon, pra i mban aktivitetet kulturore, por administrata e institucionet nuk pushojnë këto ditë”, tha Berisha.
Kurse në Institutin Demokratik të Kosovës, pa dhënë shumë detaje, konsiderojnë se në ligjin aktual për festat zyrtare duhet të evitohen disa parregullsi.
“Ne konsiderojmë se ka një nunër të madh të festave dhe ndoshta diçka ka mundësi të evitohet, siç është data e 9 majit. Është e çuditshme se si ne e festojmë ditën e Evropës e nuk jemi as afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, madje nuk kemi as liberalizim të vizave”, tha Blerta Aliu koordinatore për komunikim me publikun dhe media.
Kosova muajin e ardhshëm feston edhe Ditën e Evropës, ditë kjo që është ditë pune për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian.
Ligji për festat në Kosovë, përfshin festat zyrtare, ato memoriale dhe festat komunale.
Ligji ka gjithsej 11 festa dhe respektohet në tërësi nga institucionet publike, derisa shumë nga bizneset e sektorit privat e kanë ditë pune.
Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.
Përveç këtyre festave, në Kosovë sipas Ligjit janë të përcaktuara edhe tetë ditë tjera memoriale.
Data 28 nëntor shënohet si Dita e Flamurit të shqiptarëve dhe 12 Qershori – Dita e Paqes, e që për të dy ditët pushohet.
Kurse gjashtë festat tjera memoriale i përkasin ditës se komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë./rel
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...