Përderisa zyrtarët e Bashkimit Evropian, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’i pranojnë me shumë seriozitet rekomandimet për luftimin e korrupsionit, zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, thonë se legjislativi është duke punuar për t’i proceduar ligjet të cilat do të jenë bazament i mirë për luftë kundër korrupsionit.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ditë më parë, në konferencën rajonale kundër korrupsionit, ua ka bërë me dije zyrtarëve të Kosovës “që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse kjo ndërlidhet drejtpërdrejtë edhe me çështjen e liberalizimit të vizave”.
Ajo gjithashtu ka numëruar një varg ligjesh, të cilat Kosova duhet t’i miratojë, duke përmendur Ligjin për Agjencinë Anti-Korrupsion, Ligji për deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë, Ligjin për heqjen e mandatit zyrtarëve të akuzuar apo dënuar për korrupsion, si dhe Ligjin e ri për fuqitë shtesë për konfiskimin e pasurisë.
Gjithashtu, ajo ka përmendur nevojën e hyrjes në fuqi të Kodit të ri penal dhe Kodit të ri të procedurës penale. Apostolova ka theksuar që në kuadër të vlerësimit të luftimit të krimit ekonomik, Këshilli i ekspertëve të Bashkimit Evropian do të bëjë një vlerësim, i cili do të publikohet në fund të vitit, ku do të tregohet se sa Kosova ka luftuar korrupsionin.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ligjet për të cilat ka folur Apostolova, tashmë janë në Kuvend.
“Pothuajse të gjitha këto ligje janë në përfundim të procedurave në Kuvend, kështu që nuk mendoj se janë problematike. Nuk ka asnjë gjë shqetësuese sa u përket këtyre ligjeve. Edhe ligjet e mëhershme kanë qenë të asistuara nga Bashkimi Evropian. Ndryshimet që bëhen nuk janë rrënjësore dhe unë mendoj se është çështje e zgjidhshme” , tha Gashi.
Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që për miratimin e ligjeve, të cilat janë thelbësore për luftimin e korrupsionit, Kuvendi nuk do të duhej të ngutej.
Sipas tij, miratimi i ligjeve me nguti, mund të kenë për pasojë edhe mangësitë brenda tyre dhe kjo më pas mund t’i cojë në rivotim. Ngjashëm sipas tij vlen edhe për Kodin penal dhe Kodin e procedurës penale.
Ministrat me aktakuzë fshihen pas zbrazëtive ligjore
“Kodi penal dhe Kodi i procedurës penale, janë dy ligjet shumë kryesore, për të cilat nuk do të duhej të ngutej as Kuvendi e as Qeveria që t’i shtyjnë përpara dhe t’i miratojnë në Kuvend. Nuk e besoj që as Kodi i penal e as Kodi i procedurës penale do të mund të kryheshin deri në fund të vitit, meqë Kodi penal është në Komisionin për Legjislacion dhe janë duke u mbajtur grupet punuese. Më pas kalon në lexim të parë”.
“Duke e parë gjendjen e Kuvendit të Kosovës edhe mundësitë që ata kanë për të votuar ligje, atëherë më duket që është goxha dëshirore që të miratohet gjithë kjo paketë e ligjeve, në mënyrë që Kosova t’i ketë të gjitha ato”, tha Spahija.
Kosova synon ta ulë korrupsionin me prokurimin elektronik
Çështja e mundësisë që Kuvendi i Kosovës të ketë kuorumin e nevojshëm për miratimin e këtyre ligjeve, mbetet pikëpyetje.
Por, deputeti Gashi thotë se procedurat që këto ligje të dërgohen para deputetëve, gati se janë në përfundim.
“Nuk mendoj që ka ndonjë problem substancial. Po ashtu, këto nuk janë kusht i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe unë mendoj që ajo që ka thënë zonja Apostolova, është një vlerësim i saj prej një këndvështrimi tjetër dhe që është i mirëseardhur. Por, ne duhet të kemi qeverisje stabile, në mënyrë që të të nxjerrim vendime të duhura në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të vet Kosovës”, theksoi Gashi.
Ndërkaq, Spahija vlerëson se ligjet duhet të miratohen, por jo për shkak të vlerësimit që pritet të bëjë Këshilli i ekspertëve të BE-së .
“Procesin e liberalizimit të vizave mund ta ndikojë vetëm lufta kundër korrupsionit. Miratimi ose mosmiratimi i ligjeve nuk e besoj që do të kishte ndikim, për shkak se ne kemi Kod penal dhe kemi Kod të procedurës penale. Palët mund të procedohen penalisht para gjykatës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Nuk ka kurrfarë pengesash që t’i gjykojnë ata njerëz dhe t’i thërrasin para përgjegjësisë. Vetëm nevojitet efikasitet i këtyre gjykatave dhe prokurorive në zgjidhjen e këtyre lëndëve. Këtë e ka kërkuar Bashkimi Evropian dhe këtë Kosova duhet t’ia ofrojë asaj”, u shpreh Spahija.
Sidoqoftë, nga 22 ministra të Qeverisë së Kosovës, 6 prej tyre kanë aktakuza nga organet e drejtësisë, nën dyshime të ndryshme si: keqpërdorim i detyrës, posedim i armëve dhe punësime të paligjshme.
Apostolova ka kërkuar që zyrtarët e akuzuar për korrupsion të largohen nga institucionet.
Sondazhi: Musk dhe Trump vlerësohen afërsisht njësoj nga ame...
Ndikimi i vitaminës D në organizëm dhe problemet që sjell mu...
Liverpooli eliminon me shumë mund Southamptonin nga EFL Cup
Derisa Rodri po e lufton FIFA-n, Jules Kounde po vendos reko...
Ata mendojnë se nuk janë mjaftueshëm të mirë, njerëzit e pas...
Pse nuk duhet ta mbani telefonin afër kur flini?