Deklarata e ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri, për të angazhuar imam që të mbajnë ligjërata në Qendrat Korrektuese për të ndihmuar personat e kthyer nga Siria e Iraku, nga ekspertë të sigurisë po shihet si veprim i gabuar, shkruan arbresh.info.
Ata vlerësojnë se imamët e përzgjedhur për këto ligjërata duhet të verifikohen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë.
Sipas tyre, kjo duhet të bëhet për shkak se ka pasur raste të tilla kur për vetë imamët janë hedhur akuza të ndryshme se kanë shtyrë persona të caktuar që të marrin pjesë në luftërat në Siri e Irak.
Njohësi i sigurisë Drizan Shala, thotë për Arbresh.info se ky është gabimi më i madh që mund të cenoj edhe sigurinë nëpër burgje.
“Këta imam që do të angazhohen nga BIK-u nuk e kanë kaluar verifikimin nga ana e shtetit për të pasur të drejtë që të mbajnë ligjërata nëpër burgjet e Kosovës dhe ky është një precedent i cili deri më tani nuk ka ekzistuar nëpër vende të ndryshme dhe mos të harrojmë edhe një gjë që Kosova edhe si vendet e tjera rrezikohet nga rrymat ekstreme në asnjë shtet si në botë si në Evropë nuk kanë arritur që ti angazhojnë imam nëpër burgje. Unë ,mendoj që nga Ministria e Drejtësisë është gabim jashtëzakonisht i madh që mundet të cenoj sigurinë nacionale por edhe sigurinë nëpër burgje”, ka thënë Shala për arbresh.info.
Ndonëse ministri i drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se imamët të cilët do të mbajnë këto ligjërata do të përzgjidhen, Shala thotë se pavarësisht kësaj ky është një veprim i gabuar.
“Është një listë në të cilën janë 15 imam të cilët janë angazhu nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe i janë dërguar Ministrisë së Drejtësisë por prapë se prapë këta imam në forma të ndryshme apo në mënyrë indirekte janë angazhuar në mbajtjen e ligjëratave nëpër xhamia të ndryshme ku janë mbajt ligjërata ekstreme apo kanë lidhje me organizata të ndryshme jo qeveritare qoftë në forma direkte, qoftë në forma indirekte dhe mendoj që një veprim i tillë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është një veprim i gabuar”, ka pohuar ai.
Si veprim të qëlluar të ministrit e sheh profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami. Ai thotë se të gjithë imamët duhet të verifikohen nga policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
“Veprimi i ministri të Drejtësisë që imamët të shkojnë dhe të mbajnë ligjërata dhe t’i risocializojnë të dyshuarit për terrorizëm apo ata të cilët ishin në luftëra apo të gjithë të radikalizuarit që gjinden në burgjet e Kosovës është një veprim i qëlluar por veprim i cili do të duhej një analizë e thuktë dhe të bëhej një verifikim i të gjithë atyre imamëve të cilët do të duhej të shkonin dhe të ligjëronin nëpër qendrat korrektuese”, ka thënë ai për arbresh.info.
Sipas tij, duhet të ketë kujdes të madh në përzgjedhjen e imamëve pasi krejt kjo mund të ketë efekt të kundër, pra riradikalizim.
“Mendoj se do të duhej një verifikim i thuktë, duhet që ata imam të cilët shkojnë për të ligjëruar të kalojnë nëpër filtrat e policisë dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës sepse nëse të njëjtit imam kanë bërë propagandë radikale për shkuarjen e individëve në Siri ose duke u thirrur në vehabizëm dhe sekte të ndryshme fetare të cilat qojnë deri të radikalizimi atëherë kjo është edhe më keq dhe përkundër asaj vetëm do të radikalizohen e nuk do të deradikalizohen”, ka pohuar Islami.
Islami thotë se nëse për këto ligjërata autorizohen imam që kanë bërë propagandë qoftë në medie, qoftë në kulte fetare e në vende të ndryshme të paautorizuara, atëherë kjo do t’i kthehet bumerang ministrit të Drejtësisë.
Islami thotë se nëse ndodhë kjo gjë atëherë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po vepron në bashkëkryerje të një vepre penale.
“Nëse shkojnë e mbajnë ligjërata imamët të cilët kanë proklamu radikalizëm atëherë ministri i drejtësisë po vepron në bashkëkryerje të një vepre penale që do të duhej të shkonte në përgjegjësi nëse i cakton imamët të shkojnë që të mbajnë ligjërata. Do të jetë përgjegjës nëse i dërgon imamët që nuk janë të verifikueshëm nga ana e policisë dhe agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, ka thënë ai.
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ditë më parë ka deklaruar se do të nënshkruajnë në memorandum mirëkuptimi me Bashkësinë Islame të Kosovës e cila iu mundëson këtyre personave ligjërata nga persona që do të jenë të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës që do të arrinte të pamundësonte një radikalizëm të tillë në burgjet e Republikës së Kosovës.
Vetëm mes viteve 2012 dhe 2017, rreth 315 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar për në zona të konfliktit në Siri dhe Irak./J.Zhuniqi./arbresh.info/
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”
OKB dënon sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjitike t...
Moti sot në Shqipëri
Institucioni i Avokatit të Popullit diskuton sot për shëndet...
Moti sot i vranët dhe intervale me diell