Liga Arabe kërkon hetim për sulmin e dyshuar kimik në Siri

08:31 | 16 Prill 2018
M. A.

Në një samit të Ligës Arabe është bërë thirrje për hetim ndërkombëtar mbi përdorimin “kriminal” të armëve kimike në Siri dhe është dënuar ndërhyrjen e Iranit në çështjet e brendshme të vendeve arabe.

Samiti i mbajtur në Arabinë Saudite vjen pasi Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë dhe Francën, kryen sulme në Siri në kundërpërgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik, ku u vranë dhjetëra persona në Siri më 7 prill.

“Ne kërkojmë një hetim të pavarur ndërkombëtar që do të garantojë se do të zbatohet ligji ndërkombëtar ndaj kujdo që dëshmohet se ka përdorur armë kimike”, thuhet në deklaratën e publikuar pas mbajtjes së këtij samiti.

Në deklaratë po ashtu kërkohet për më shumë sanksione ndërkombëtare ndaj Iranit dhe bëhet thirrje për tërheqjen e “milicive” të Teheranit nga Siria dhe Jemeni.

Irani është mbështetës i presidentit sirian Bashar al-Assad dhe e ndihmon atë me militicë shiite, që luftojnë përkrah forcave qeveriare. Në Jemen, rebelët Huthi, që Irani i mbështetë, kanë arritur të marrin nën kontroll pjesë të mëdha të shtetit, përfshirë edhe kryeqytetin, Sanaa.

Media shtetërore iraniane, ka cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Bahram Qasemi të ketë thënë se dënimi që është bërë nga Liga Arabe ka ardhur si rezultat i presionit nga Arabia Saudite, rivalit kryesor të Teheranit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme