Të rinjtë në Kosovë vazhdimisht ballafaqohen me vështirësi për të siguruar një vend pune, sidomos në sektorin publik. Përveç diplomës universitare, përcaktues kryesor në punësim në sektorin publik, sipas tyre, janë lidhjet familjare dhe ato partiake.
Vlora ka dy vite që ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe ka aplikuar në disa konkurse. Por, ajo dyshon se ryshfeti dhe familjarizimi ka ndikuar që të mos punësohet.
“Në institucionet e Kosovës janë krijuar klane. E për të siguruar një vend pune duhet që paraprakisht nga jashtë të bëhesh pjesë e klaneve. Unë nuk veproj në këtë mënyrë, pasi kam kualifikimet e nevojshme”, thotë Vlora.
Lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake përmenden në raportin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) si faktorë që ndikojnë shumë për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë.
Sipas këtij raporti, 78 për qind e të anketuarve besojnë se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake dhe faktorët tjerë jomeritor, janë më të dobishme për sigurimin e një vendi pune.
Kurse vetëm 22 për qind besojnë se arsimi, përvoja dhe aftësimi profesional janë kritere kryesore për punësim në sektorin publik.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se sektori publik është i “rezervuar “ për militantë të partive politike që vijnë në pushtet.
Jeton Zulfaj nga organizata joqeveritare “Fol”, thotë për Radion e Evropa e Lirë, se ky kriter, edhe pse jo ligjor, ka mbipopulluar sektorin publik në Kosovë.
“Ne shohim një administratë të stërmbushur me persona të lidhur me subjekte politike, të cilët më tepër llogariten si vota dhe jo si punëtorë të shtetit”, thotë Zulfaj.
Punësimi pa kriter në sektorin publik, ka rezultuar me një administratë jo kualitative dhe jo profesionale, nënvizon Zulfaj.
“Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin punë efektive dhe profesionale nga shumica e punëtorëve në institucionet publike. Dhe kjo gjendje nuk i pengon zyrtarët e lartë politikë të cilët nuk kanë hallin që të garantojnë një administratë publike e cila bazohet në merita”, thotë tutje Zulfaj për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, mbi 80 mijë persona llogariten punonjës në sektorin publik, me një pagë mesatare 525 euro në muaj.
Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka kërkuar reforma në administratën publike në Kosovë, si nevojë më prioritet për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sidoqoftë, shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave (ASK) për tremujorin e parë të këtij viti, është 26.5 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeç, me 54.0 për qind.
Hasani ndan një video me letrat e fëmijëve të diasporës për ...
Vrau 14 vjeçarin, Martin Cani “arrest në burg” për Mario Për...
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
FSK testoi kapacitetet e komunikimit C4I
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...