Liderët e shtetit nderojnë figurën e Nënës Terezë

09:08 | 5 Shtator 2022
A. B.

Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te shtatorja e Nënës Terezë në Prishtinë me rastin e 25-vjetorit e vdekjes së saj.

Presidentja Osmani në një fjalë rasti tha se e kujtojnë Shën Terezën, si nënë e madhe, e cila sipas saj, dha një shembull për të gjithë botën dhe jo vetëm për popullin shqiptar, i cili ia dha asaj botës, shkruan arbresh.info

“Prandaj sot, përkujtojmë me shumë krenari gjithë veprën e saj dhe shembullin që la pas duke treguar që janë dashuria, respekti e ndihma ndaj të tjerëve që duhet gjithnjë të jenë dritë udhërrëfyese në punën tonë të përditshme”, deklaroi Osmani.

Ashtu edhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, u shpreh se shembulli i Shën Terezës, i ka inspiruar miliona njerëz anekënd botës, teksa shtoi se nuk duhet harruar që ajo kurrë nuk e harroi kombin shqiptar.

“Ajo gjithmonë ka qenë afër popullit tonë në ditët më të vështira edhe te udhëheqësit më të mëdhenj botëror edhe kur ka qenë nevoja, ajo gjithnjë e ka ngritur çështjen tonë”, tha kryeparlamentari.

Tutje kryeministri i vendit, Albin Kurti, u shpreh për Shën Terezën se si nga një bij e popullit shqiptar, ajo u bë nëna e gjithë botës.

“Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i mori asgjë botës. Në këtë mënyrë ajo afirmoi kombin tonë sepse sakrifica është edhe vlerë tradicionale e popullit shqiptar”, deklaroi Kurti.

Në këtë mënyrë ajo afirmoi kombin tonë sepse sakrifica është edhe vlerë tradicionale e popullit shqiptar”, përfundoi Kurti.

Përndryshe, për nder të kësaj dite do të mbahen një varg aktivitetesh. Në orën 09:30, presidentja Osmani bashkë me kryeministrin Kurti, vizitojnë Shtëpinë Muze të Nënë Terezës në Prizren.

Ipeshkvia e Kosovës në orën 11:00 mban meshën solemne të Festës së Shën Nënë Terezës, e cila sivjet koincidon me 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, 6-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku dhe 5-vjetorin e shugurimit të Katedrales.

Ndërkaq, me rastin e “Ditëve të Nënë Terezës”, në orën 15:00, në një ceremoni të veçantë, në Kabinetin e presidentes Osmani mbahet ceremonia e dekorimit të disa personaliteteve të shquara me medaljen për humanizëm “Nënë Tereza”. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme