Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ngjarjet e fundit kanë krijuar përshtypjen në opinion se udhëheqësit e Kosovës, për shkak të interesave personale ose klanore, nuk janë të përgjegjshëm si drejtues të shtetit, si dhe ndaj obligimeve që kanë marrë ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
Siç thotë ai, janë situata shumë të rralla kur ambasadorët e vendeve mike të dalin me qëndrim zyrtar, kundër qëndrimit, të cilën në këtë rast e ka Qeveria ose kundër vendimit që eventualisht mund ta marrë Kuvendi.
“Është fakt që ne jemi shtet sovran dhe i pavarur, si dhe është fakt që ne i ndjekim procedurat demokratike. Mirëpo, gjithashtu është fakt që përmes procedurave demokratike nuk mund të sjellësh asnjë vendim që është antidemokratik ose asnjë vendim që shkon ndesh me synimet e Kosovës, por edhe me synimet e ruajtjes së miqësisë me shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën, si dhe me obligimet, karshi bashkësisë ndërkombëtare, që i ka marrë Kosova”, thotë Tahiri.
Ismajl Hasani, njohës i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ftohja e raporteve ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë dhe lidershipit të Kosovës, në mënyrë sporadike ka nisur para se të zhvilloheshin ngjarjet e fundit, me deklarata të cilat nuk kanë qenë në frymën e linjës së një zhvillimi normal që mund ta ketë një shoqëri.
“Por, ajo që kemi parë javën që shkoi, ishte kulmi i këtyre përpjekjeve për të zhbërë atë që është krijuar me mund nga populli i Kosovës, nga miqtë ndërkombëtarë. Është rrezikuar seriozisht projekti i përbashkët i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë nga aleatët tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe shtetet tjera që kanë pasur kuptim për lirinë e Kosovës”, vlerëson Hasani.
Por, a i kanë dëmtuar raportet me miqtë ndërkombëtarë, sjelljet dhe veprimet e liderëve politikë dhe institucionalë të Kosovës dhe a mund të rezultojnë me pasoja për vet shtetin e Kosovës?
Politologu Tahiri, shpreh mendimin se kjo do të pasqyrohet në kuptimin afatshkurta dhe afatgjatë.
“Në kuptimin afatshkurta, nuk është prodhuar asgjë, sepse nuk është marrë ndonjë vendim, me gjithë tentativën. Në kuptimin afatgjatë, tregon karakterin e qeverisjes së Kosovës dhe të njerëzve që janë në krye të udhëheqjes dhe e vë në pikëpyetje se a jemi partner të qëndrueshëm ndërkombëtarë apo jo, pa marrë parasysh legjitimitetin momental që mund ta kenë krijuar përmes votës”.
Ndërkaq, Hasani vlerëson se bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht miqtë e Kosovës, e kanë humbur besimin në lidershipin aktual të vendit. Nisur nga kjo, sipas tij, do të ishte më mirë për Kosovën që ky lidership të mos jetë më në skenën politike të vendit, por mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme tash për tash, do të ishte veprim i rrezikshëm. Rrjedhimisht, siç thotë ai, edhe rikthimi i besimit tek vendet mike, mbetet çështje problematike.
“Që mbahen mend këto dhe që faktori ndërkombëtar nuk falë, sepse investimi i tyre është tepër i madh, kjo nuk diskutohet. Është çështje, pastaj, se si kornizohet kjo, me një zhvendosje të vëmendjes nga Kosova, me një ngrirje të avancimit të Kosovës, me një ngrirje të avancimit të proceseve për integrime në Bashkimin Evropian, procesin e liberalizimit të vizave, i cili tashmë me këtë akt është larguar shumë, si dhe integrimet euroatlantike, për të cilat është trumbetuar për kohë të gjatë”.
Sidoqoftë, pas dy tentimeve, ditën e premte, për të dërguar në Kuvend të Kosovës për votim propozimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, reagimet e ambasadorëve të vendeve të Quintit në Kosovë kanë qenë mjaft të ashpra.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar këtë veprim si “ngulje e thikës pas shpinës për Amerikën”.
Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, e ka quajtur mbrëmjen e së premtes, si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”./REL
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...