Liberalizimit të vizave i janë gëzuar i madh e i vogël, mes tyre edhe studentët e universiteteve të Kosovës.
Mundësia e udhëtimit pa viza po konsiderohet si një rast i mirë për studentët të cilët duan të ndjekin programe të ndryshme arsimore në Evropë, shkruan Arbresh.info.
Nga Organizata Studentore për Novacion 68 (SIN68) thonë se para liberalizimit të vizave, studentët kanë hasur në disa problematika, të cilat ua kanë pamundësuar udhëtimet në kuadër të studimeve.
“Procedurat e gjata të pajisjes me vizë gjë që me raste edhe ka pamundësu pjesëmarrjen në programe të caktuara dhe kosto e marrjes së vizë kanë qenë disa prej problematikave që studentet i kanë hasë gjatë periudhës sa Kosova nuk ka pasur liberalizim të vizave”, u shpreh udhëheqësi i SIN68, Ilir Kiçmari.
Ai tha se vizitat studentore në vendet e BE-së do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit universitar në Kosovë.
“Liberalizimi i vizave iu mundëson studentëve që të shohin më shumë sisteme dhe kultura tjera dhe të krahasohen me sistemin dhe kulturën tonë. Ky krahasim besoj që do të ndikojë në një ambient studentor më divers, me mendje hapur e tolerant, pra liberalizimi i vizave është mundësi e jashtëzakonshme për studentët. Përveç kësaj, kontakti me profesorë dhe studentë në konferenca e simpoziume të ndryshme do të jetë më i lehtë, gjë që edhe zhvillimi i ideve inovative e shkencore dhe bashkimi në grupe të hulumtimit të jetë më i lehtë”, potencoi Kiçmari.
Mes tjerash, ai tha se studentët duhet ta shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për vizita studimore, shkolla verore, shkëmbime semestrale, kampe verore, festivale e trajnime të ndryshme në Evropë.
Në anën tjetër, studentja e Universitetit të Prishtinës, Elonë Selmani, tregoi për Arbresh.info se para liberalizimit shpesh herë është detyruar t’i injorojë thirrjet e ndryshme për vizita studentore në BE.
“Problematikat kryesore kanë qenë procedurat e pajisjes me vizë për të udhëtuar në vendin e caktuar. Thirrjet e ndryshme që publikohen në faqet përkatëse të Universitetit lidhur me vizita të shkurta në kuadër të pjeses akademike shpesh është dashtë me i injoru vetëm për arsye të perballjes me procedurat e ambasadave në Kosovë dhe shpenzimeve monetare për këto procedura”, u shpreh ajo.
Selmani po ashtu rrëfeu për eksperiencën e saj të mundimshme nëpër ambasada, në kohën kur dëshironte që studimet t’i vazhdonte në Poloni.
“Ministria e Arsimit duhet të krijojë kushte dhe një kornizë të veçantë për studentët që fitojnë të drejtën për shkollim jashtë vendit për një periudhë të caktuar. Gjatë kohës kur unë po i rregulloja dokumentet për të vazhduar studimet në Poloni, më duhej të udhëtoja në qytetin e Shkupit për tu pajisur me vizë polake, si shkak që në Kosovë nuk ekzistonte një ambasadë e këtij vendi. Mendoj që Ministria në këso raste duhet të bashkëpunojë me institucionet kompetente që t’i pajisë studentët me vizën e kërkuar, në mënyrë që atyre mos tu dalin probleme gjatë rrugës, që mund të ndikojë edhe në pjesën me universitetin pritës jashtë vendit”, tha studentja e UP-së.
E njëjtë si Kiçmari nga organizata e lartpërmendur, edhe Selmani mendon se tashmë me liberalizimin e vizave do të pasurohet niveli akademik studentor.
Madje, ajo tha se mundësia e udhëtimit pa viza do t’iu mundësojë studentëve edhe kursimin e të hollave.
“Me liberalizimin e vizave për Kosovën, besoj se do të krijohen mundësi të reja që të pasurohet pjesa akademike e studentëve. Kjo sepse për vizita të shkurta si javore apo deri në 3 muaj nuk duhet bërë kërkesë për vize studentore, dhe kjo iu kursen studentëve edhe kohë edhe para”, theksoi ajo.
Kujtojmë se qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. /Arbresh.info/Rreze Sylhasi/
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...