Pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova me të drejtë pret sinjale pozitive nga institucionet evropiane lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe njohësit e integrimeve evropiane.
Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në përvojat e shteteve në rajon, të cilat kanë kaluar situatata të ngjashme në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, atëherë pritet që Kosova të vlerësohet pozitivisht, sidomos pas ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin, i cili kishte mbetur kusht për vendin nga Bashkimi Evropian, për të marrë liberalizimin e vizave.
“Ne, fillimisht, besojmë që Komisioni Evropian do ta vlerësojë pozitivisht progresin e arritur në Kosovë. Janë procedurat e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian, që janë Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, pastaj Këshilli i Ministrave, ku janë hallka të shumta, nëpër të cilat do të kalojë rekomandimi dhe ne besojmë fuqishëm që muaji qershor do të jetë muaji i një sinjali pozitiv sa i përket perspektivës së Kosovës, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave. Presim që rekomandimi të jetë pozitiv dhe natyrisht, ne si institucione, t’i vazhdojmë obligimet tona”, tha Deliu-Kodra.
Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se procesi i vendimmarrjes së rregullt në institucionet e Bashkimit Evropian është mjaft i komplikuar dhe i tillë, do të jetë edhe lidhur me vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas tij, fillimisht Komisioni Evropian, pas raportit që do ta marrë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, do të duhet të përgatisë rekomandimin për dhënien e statusit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Më pas ky rekomandim u dërgohet paralelisht dy institucioneve tjera politike dhe vendimmarrëse, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, të cilat më pas, duhet të vendosin nëse Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave.
“Fillimisht është Parlamenti Evropian që duhet ta marrë vendimin. Pastaj, në momentin kur miratohet në Parlament, i njëjti dërgohet te Këshilli. Të dyja janë autoritete ligjvënëse ose kanë autoritet të vendimmarrjes në këtë rast. Nuk mund të kalojë në qoftë se njëra prej tyre dështon për ta aprovuar. E gjithë kjo është një proces që zgjatë goxha një periudhë, minimumi do të thosha deri në 6 muaj kohë. Në momentin kur këto dy institucione pajtohen, atëherë e vetmja që mbetet për tu bërë është që Kosova të futet në listën e Schengenit të bardhë, sikurse vendet e tjera që gëzojnë statusin e njëjtë”, tha Ujkani.
Profesor Ujkani shton se bazuar në procedurat që ndiqen brenda institucioneve të Bashkimit Evropian, marrja e liberalizimit të vizave nga Kosova deri në fund të këtij viti, do të duhej të konsiderohej sukses i madh.
“Në qoftë se çdo gjë shkon si duhet, nuk e pres që mund të ndodhë para fundit të vitit, assesi. Sado që dikujt mund t’i duket kjo gjatë, unë mendoj që kjo është më e mira e mundshme që mund të nxirret brenda këtij viti”, tha Ujkani.
Megjithëse Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është ratifikuar nga Kuvendi, zbatimi i marrëveshjes mbetet ende për t’u bërë. Deputetja Deliu-Kodra, thotë se institucionet e vendit janë të vetëdijshme se suksesi i këtij procesi do të vëzhgohet nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se gjatë muajit prill, pritet që Komisioni Evropian ta japë raportin për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave. Megjithatë, ajo nuk ka mundur të precizojë ndonjë afat kohorë se kur Kosova do të mund të përfitojë liberalizimin e vizave, por megjithatë, sipas saj, Kosova sigurisht që tashmë e ka bërë hapin e madh në këtë drejtim./REL
Peci s’ndalet, kësaj radhe punëson motrën e Xhelal Sveçlës
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...