Ka kohë që akterë të ndryshëm të opozitës kanë paralajmëruar rrëzimin e qeverisë Kurti në një kohë të afërt, ku shumë prej tyre e kanë përmendur vjeshtën si opsion.
Këto pretendime të partive opozitare kanë filluar të kenë më shumë peshë pas kalimit të Doarsa Kica-Xhelilit nga Lista Guxo (lexo: Lëvizja Vetëvendosje), në Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti e cila sot, më 8 shtator edhe e zyrtarizoi këtë aderim.
Ndërkohë, ka një javë kur eksponentë të LDK-së, vazhdimisht po deklarohen se edhe disa deputetë tjerë nga pozita do të kalojnë në radhët e tyre.
Atëherë, a po rrezikohet me të vërtetë Albin Kurti me rrëzim nga qeveria për herë të dytë në karrierën e tij politike? A do të ketë zgjedhje në Kosovë para përfundimit të mandatit të kësaj qeverie?
Sipas gazetarit dhe njohësit të cështjeve politike, Ridvan Berisha, e vetmja mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje është nëse ka interes dhe dëshirë kryeministri Kurti që ta rilegjitimojë VV-në si partia më e madhe në Kosovë, e assesi nuk mund të ketë zgjedhje të bazuara në interesin e opozitës, e cila sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që të dalë fituese para Kurtit dhe partisë së tij.
“Edhe po të mbahen zgjedhjet tani, sërish z.Kurti mbetet i paalternativë, gjithmonë sipas disponimit publik. Opozita nuk ka shanse që ta sfidojë atë me humbje sepse vetë opozita karakterizohet me frymë kaotike përbrenda saj. Nëse është interes i dikujt që vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë ky interes reduktohet me Albin Kurtin, me pritjen e tij që të rilegjitimohet si partia më e madhe në vend. Nëse vendi shkon në zgjedhje, kjo ndodh vetëm sepse këtë e dëshiron Albin Kurti”, tha Berisha për arbresh.info.
Ka qenë vetë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili në një emision televiziv pranoi se të paktën 8 deputetë të koalicionit qeverisës janë në bisedime për ta ‘braktisur’ grupin politik, elektorati i së cilave ua ka siguruar një vend në Kuvendin e Kosovës.
Për ta shtyrë përpara edhe më shumë këtë pretendim të LDK-së, u përkujdes edhe ish-koordinatori i Guxo në Ferizaj, Valton Dërguti, i cili në një emision televiziv tha se edhe deputetët e Guxo nga Ferizaj, Burim Karameta dhe Ekrem Mustafa, prej kohësh janë në bisedime që t’i bashkohen strukturave të LDK-së, ku të dy po kërkojnë që të bëhen kryetarë të degës së kësaj partie në këtë qytet, si kusht për t’a ndërruar partinë. Ai tha se arsyeja se ky kalim i tyre po vonohet është hezitimi i LDK-së që të pranojë ndonjërin prej tyre si kryetar të kësaj dege.
Emrat e deputetëve të tjerë që mund të kalojnë në opozitë ende nuk janë bërë të ditur, megjithatë, cdo ditë e më shumë po shtohen zërat se brenda grupit parlamentar të VV-së ka përcarje dhe pakënaqësi nga më të ndryshmet.
Kalimi i Doarsa Kicës në LDK dhe mundësia që edhe deputetë tjerë të largohen nga pozita, për Berishën ndodhin vetëm për shkak të interesave personale dhe nuk mund të ndikojnë në rrëzimin e qeverisë.
“Në leximin tim, ka zero efekt kjo ngjarje e shëmtuar e transferit politik, që politikën kosovare po e përcjellë tash e sa kohë me model tyxharllëqesh, me kalimesh e transferosh kryekëput për interesa personale. Duke bashkëjetuar me kontekstin politik kosovar qe 22 vjet si gazetar, me këtë pluralizëm që ka Kosova, ‘konvertimi’ i znj.Xhelili do të ketë pasoja vetëm për të e assesi nuk mund të jetë indikator serioz për rrëzimin e qeverisë Kurti 2”, deklaroi Berisha për arbresh.info.
Për të, arsyeja e vetme që Kurti mund të shkojë vet në zgjedhje është dialogu me Serbinë, e jo numrat pozitë-opozitë.
“Ka shenja që Kurti edhe mund ta ftojë ose të kërkojë një proces të parakohshëm zgjedhor në pranverën e vitit tjetër për një arsye qenësore, e cila quhet dialogu me Serbinë”, përfundoi Berisha për arbresh.info.
Mendimin se qeveria nuk mund të rrëzohet për shkak të numrit të deputetëve, e ka edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, i cili thotë se qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse ka ndonjë revolucion apo përmbysje të madhe, ndryshe është e pamundur.
“Nuk mund të rrëzohet qeveria për shkak të numrave, edhe nëse kalojnë 8 deputetë të VV-së në LDK siç po pretendohet, prapë se prapë VV i ka numrat e mjaftueshëm për të mbajtur qeverinë, pra, nuk është problemi aty. Nëse rrëzohet qeveria mund të rrëzohet për shkak të ndonjë revolucioni apo përmbysjeje, e jo për numrat në Parlament”, u prononcua Spahiu për arbresh.info.
E analistja tjetër, Ardiana Thaci, në një prononcim për redaksinë tonë tha se nuk është befasi kalimi i deputetëve të Guxo në LDK. Duke iu referuar kalimit të Kicës në këtë parti, ajo tha se dihet që ideologjikisht këta deputetë janë shumë më të afërt me LDK-në sesa me partinë që janë në koalicion, pra, VV-në.
“Unë mendoj që shumica e njerëzve që janë në Guxo, ideologjinë e tyre e kanë më të afërt me LDK-në sesa me vetë partinë që janë në bashkëqeverisje, VV-në”, tha Thaçi.
Skena politike e Kosovës ndër vite është karakterizuar me mungesë të stabilitetit politik, ku që nga viti 2007 asnjë qeverie dhe asnjë kryeministri nuk i ka zgjatur mandati 4-vjecar deri në fund.
Kjo gjithmonë ka ndodhur për shkak të prishjes së koalicioneve nga parti apo deputetë të ndryshëm, të cilët, për një arsye apo tjetër, kanë lënë partitë në kuadër të të cilave kanë fituar votat.
Hera e fundit kur një deputete është larguar nga një grup parlamentar dhe ka kaluar në tjetrin ka qenë në mars të vitit të kaluar, kur ish-deputetja e PDK-së, Adelina Grainca, e la këtë parti dhe papritur u shfaq me kryeministrin Kurti, rrjedhimisht kaloi në grupin parlamentar të VV-së. Kjo lëvizje u pat ndikuar nga votimi i presidentes Vjosa Osmani, të cilës i duheshin votat e deputetëve edhe jashtë GP të VV-së për të marrë atë post që e ka sot. Megjithatë, ajo kaloi nga opozita në pozitë, ndërsa rasti i Doarsa Kica-Xhelilit po del të jetë një rast unik dhe rrallë i parë deri më sot./Emir Abduramani/arbresh.info/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...