Google ADS

Lëvizja FOL: Të dorëhiqet Bordi i RTK-së

14:26 | 24 Korrik 2024
K.B

Organizata joqeveritare dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të Radio Televizionit të Kosovës për “mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre”, pas situatës së krijuar me publikimin e një artikulli të një portali boshnjak që i etiketon si të Serbisë disa media në Kosovë.

Lëvizja FOL, përmes një komunikate për media thotë se është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja.

“Rrjedhimisht, ne konsiderojmë që bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre. Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij”, thuhet në njoftimin për media, shkruan Arbresh.info

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

Pas situatës së krijuar me rastin e publikimit të artikullit “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të transmetuar në RTK, Organizatat Jo Qeveritare dhe aktivistë kërkojnë dorëheqjen e Bordit të RTK-së për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.

Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të

“keqardhjes” për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.

Përtej ngjarjes së fundit, një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet. Këtu përfshihen detyrimi i ish drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, krijimi i një praktike të publikimit të informacioneve që shkelin standardet etike dhe ligjore siç ishte informacioni për dyshimet për atentate ndaj udhëheqësve të pushtetit, publikimi i videove të ndryshme që i ndihmojnë narratives qeveritare e deri tek lajmet si ky i fundit që për qëllim nuk e kanë informimin e publikut por bërjen e propagandës pro qeveritare.

Rrjedhimisht, ne konsiderojmë që bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre.

Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

Lëvizja FOL

Instituti i Kosovës për Drejtësi-IKD

Instituti Demokratik i Kosovës-KDI

Iniciativa për Progres-INPO

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR KS

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Demokraci PLUS- D+

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion-QIKA

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti Epik

Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)

Imer Mushkolaj

Flutura Kusari

Agon Maliqi

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari

Sbunker

Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS

Instituti Demokraci për zhvillim – D4D

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme