Debate Center dhe Lëvizja FOL kanë parë me shqetësim të madh veprimet e anëtarëve të mbrojtjes së afërt të presidentit Thaçi kundrejt një qytetari i cili, përmes fjalës së lirë, kishte shprehur pakënaqësitë e tija ndaj udhëheqësve dhe mënyrës së udhëheqjes së shtetit.
Përmes një njoftimi për media Lëvizja Fol, ka reaguar ndaj veprimit të mbrojtjes së afërt të Thaçit, duke e cilësuar si cënim i lirisë së shprehjes.
“Qytetarët e Kosovës, përmes miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 2008 nga ana e përfaqësuesve të tyre, vendosën për rregullat dhe parimet themelore të funksionimit demokratik shoqëror dhe promovimit të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Neni 40 i Kushtetutës përcakton qartë se liria e shprehjes është e garantuar dhe ajo “përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”. Liria e fjalës dhe e shprehjes së lirë është themeli i demokracisë dhe është një ndër parakushtet më të rëndësishme të zhvillimit dhe emancipimit shoqëror. Liria e shprehjes nuk kufizohet vetëm me lirinë e shtypit dhe lirinë e gazetarëve, por e njëjta liri përbën një të drejtë të patjetërsueshme të individëve në shoqëritë demokratike për të shprehur mendimet e tyre”, thuhet në njoftim, raporton arbresh.info.
Reagimi i stafit të sigurisë së presidentit sipas FOL, ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në nenin 23 të Kushtetutës [Dinjiteti i Njeriut] dhe Nenin 26 [E Drejta e Integritetit Personal] duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm të shtypjes së mendimit dhe shprehjes së lirë. Deklaratat publike të Presidentit Thaçi, përmes së cilave arsyetohen veprimet e sigurimit të tij, shpërfaqin mosrespektim të të drejtave themelore të njeriut dhe mbështesin dhunën fizike ndaj qytetarëve.
“Ne si organizata të shoqërisë civile promovojmë dhe punojmë çdo ditë që mendimi ndryshe, mendimi kritik dhe liria e fjalës dhe shprehjes të mos shihen si kërcënim për shoqërinë, por të kultivohen si normë shoqërorë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Një shoqëri nuk mund të konsiderohet demokratike vetëm duke zbatuar të drejtën e votës, por duke kultivuar, promovuar dhe mbështetur të drejtën e qytetarëve për t’i mbajtur përgjegjës dhe vazhdimisht nën monitorim të zgjedhurit politikë”, thuhet tutje në reagim.
Perceptimi dhe përballja me mendime të shprehura, edhe në ato rastet kur ato mendime mund të shfaqen si ekstreme, kërkon një reagim adekuat dhe sipas normave demokratike. Mënyra më e sigurt e reagimit të mekanizmave të sigurisë publike është që të gabojnë në lejimin e fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, duke kufizuar këtë liri vetëm atëherë kur lejohet nga norma demokratike dhe kur i njëjti kufizim i sqarohet qytetarëve.
Në një demokraci të brishtë si kjo në Kosovë, cenimi i lirisë së shprehjes dhe veprimet e tilla ndaj një qytetari, apo edhe aktivisti politik, është njëkohësisht cenim i lirisë së shprehjes për të gjithë shoqërinë. Prandaj, është e rëndësishme që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet nga institucionet përkatëse. Veprimet e tilla duhet të hetohen nga bartësit përkatës të institucioneve shtetërore dhe të njëjtat veprime duhet të dënohen nga komuniteti i gazetarëve. Mbi të gjitha, reagimet tona si qytetarë duhet të jenë të vazhdueshme dhe të pa kompromis për t’i kërkuar dhe mbrojtur të drejtat tona, pa marrë parasysh se kush tenton t’i cenojë ato. /arbresh.info
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...