Google ADS

“Let’s Do It” përmbyllë “Javën e Tokës” me mijëra fidanë të mbjellur

18:37 | 27 Prill 2019
Arbresh.info

Me dhjetëra aksione pastrimi, mbjellje të mijëra fidanëve, gara, aktivitete sportive e aktivitete të shumta gjithandej Kosovës është shënuar ‘Java e Tokës’, të cilën “Let’s Do It” e nisi më 19 prill.

Nga 19 prill deri sot, çdo ditë u organizuan aktivitete të shumta nga vullnetarë të “Let’s Do It”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ambasada të huaja në Kosovë, kompani të pastrimit, shkolla, KFOR-i, Policia e Kosovës e biznese, në komuna të ndryshme.

“Java e Tokës” nisi me aksion pastrimi e mbjellje fidanësh në Komunën e Skenderajt. Gjatë këtij aksioni u larguan dhjetëra thasë mbeturina dhe u bë thirrje që hapësirat e pastruara të mirëmbahen. Mbeturinat e mbledhura u larguan nga KRM “Uniteti”.

Aktivitetet vazhduan më 21 prill në Lagjen 028 në Fushë Kosovë. Hapësira e cila ishte pastruar në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, nga një deponi mbeturinash u shndërrua në hapësirë të gjelbëruar. Përveç mbjelljes së fidanëve, në atë zonë u vendosen edhe shporta mbeturinash.

Aktivitete më shumë pati më 22 prill – në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, për këtë ditë filluan te “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë

Më 22 prill aksion pati edhe në Komunën e Prizrenit, te lokacioni që njihet si ish-stacioni i trenit, nga ku u larguan 50 thasë me mbeturina. Pjesë e këtij aksioni ishin edhe anëtarët nga Kuvendi i të rinjvetë Prizrenit. Tutje, aktivitetet e 22 prillit vazhduan në Komunën e Gjilanit, ku Let’s Do It së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Gjilanit kanë vazhduar aksionin e pastrimit në fshatin Shillovë të Gjilanit, i banuar me shumicë të komunitetit serb.

Pas këtij aksioni të pastrimi në Sillovë, aktivitetet e “Let’s Do It” vazhduan në Fshatin Dobërçan, ku u vendosën shporta.

Aktivitetet për nder të “Javës së Tokës” vazhduan edhe të nesërmen, më 23 prill, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, komunën e Prishtinës, OJQ të tjera si dhe studentë e vullnetarë realizuan aksion pastrimi dhe mbjellje të fidanëve në hapësirat e Kampusit Universitar. Gjatë këtij aksioni u larguan me dhjetëra thasë me mbeturina si dhe u mbollën 30 fidanë, ndërsa aksioni vazhdojë edhe të nesërmen me mbjelljen e 500 luleve.

Më 24 prill, në hapësirë të gjelbëruar u shndërrua deponia e mbeturinave te “Fusha e Pajtimit”, e cila u pastrua në Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Edhe për këtë lokacion, Kosovo CSR Netëork kontribuoi me një sasi fidanësh që u mbollën.

Në të njëjtën datë [24 prill], me iniciativë të disa banorëve të Orllanit dhe me mbështetje të policisë së Kosovës dhe KFOR-it u realizua aksion pastrimi në hapësirat përreth liqenit të Batllavës ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina.

Më 25 prill, aktivitetet për shënimin e Ditës së Tokës në kuadër të “Javës së Tokës”vazhduan në lagjen “Pejton”, ku në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Prishtinë, realizuam aksion pastrimi në hapësirat e kësaj lagje. Në këtë aktivitet u bashkuan edhe ambasadat e tjera të huaja, të cilat operojnë në këtë lagje, si ajo e Italisë, Shqipërisë, Norvegjisë, Finlandës e poashtu edhe disa biznese lokale, si dhe kopshti i fëmijëve “Xixëllonjat” dhe “Happy kids”.

Më 26 prill u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 500 kontejnerë dhe 500 shporta për 13 komuna të Kosovës. Përfituese të këtyre kontejnerëve dhe shportave kanë qenë komuna e Junikut, Podujevës, Istogut, Skenderajt, Pejës, Prizrenit, Hanit të Elezit, Shtimes, Mitrovicës, Lipjanit, Malishevës, Rahovecit dhe Deçanit. Përzgjedhja e këtyre komunave është bërë në bazë të angazhimit të tyre në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila u mbajt nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2018.

Aktivitetet e “Javës së Tokës” u përmbyllen sot [27 prill] në Komunën e Deçanit. Gjelbërimit të bukur brenda hapësirave të SHFMU “Sylë Alaj” në Drenoc të Deçanit, sot iu shtuan edhe dhjetëra fidanë të cilat i mbollëm bashkë me drejtorin, mësimdhënës e nxënës të kësaj shkolle.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme