Lëndohet një 13-vjeçare në një shkollë të Kosovës, shkak sfida “Superman” e TikTokut

17:57 | 6 Dhjetor 2024
R J

Një nxënëse në një shkollë fillore në Gurrakoc të Istogut ka pësuar lëndime trupore, pasi me disa nxënës të tjerë kanë luajtur sfidën “Superman”, që është bërë e famshme në rrjetin social TikTok. Në këtë sfidë, dy deri në tre persona tentojnë ta mbajnë personin tjetër që “fluturon” në krahët e tyre, por në disa raste ata më pas e rihedhin ose nuk e presin fare dhe personi bie në tokë.

Ngjarja në Istog ka ndodhur të enjten (5 dhjetor) gjatë pushimit të nxënësve, ka njoftuar drejtoresha e shkollës, M.K, duke bërë të ditur se me 13-vjeçaren fillimisht është marrë arsimtarja që kishte orë mësimore me atë klasë.

“Rasti fillimisht është adresuar tek arsimtarja që ka pasur orë në atë klasë mandej tek unë. Dhe si shkollë kemi reaguar menjëherë për t’i dalë në ndihmë”, ka deklaruar ajo.

Drejtoresha e shkollës bëri të ditur se e mitura kishte lëndime në kokë pasi kishte rënë në dysheme, derisa tha se pati edhe mundim në bark, dridhej dhe ishte zbehur.

Kabashi ka deklaruar tutje se nxënësja ka marrë trajtim mjekësor, e të premten është kthyer në shkollë.

Për fenomenin e TikTokut ka reaguar edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog.

Ajo u ka kërkuar shkollave të Istogut që javën e ardhshme të mbajnë sesion informues për nxënësit mbi përdorimin e rrjeteve online.

“Kërkoj nga ana juaj, si drejtorë, që nga e hëna e ardhshme (09.12.2024), në secilën klasë të shkollave tuaja të mbahet një sesion informues me nxënësit rreth përdorimit të rrjeteve sociale. Ditëve të fundit janë shfaqur një sërë problemesh që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale nga nxënësit e shkollave, gjë e cila nuk i kontribuon arsimimit të mirëfilltë të shkollave tona”, thuhet në reagimin e bërë në Facebook.

Drejtoresha e shkollës ka kërkuar që të parandalohen rastet e tilla, duke ftuar që të ketë ndërgjegjësim dhe ambient digjital më të sigurt në shkollat kosovare.

“Përballë rritjes së shqetësimeve që lidhen me sfidat e rrezikshme dhe të dëmshme që qarkullojnë në rrjetet sociale, dhe jo vetëm. Fokus duhet pasur edhe tek përmbajtjet e dëmshme dhe të papërshtatshme, bullizmi online dhe presioni social, rreziku nga privatësia dhe siguria….E situata tjera që paraqesin rrezik potencial për fëmijët, mirëqenien e sigurinë e tyre, bëjë thirrje: Së bashku të parandalojmë pasojat serioze që vijnë nga sfidat e rrezikshme në TikTok dhe platforma tjera digjitale! Mbikëqyrje dhe të punojmë më shumë për ndërgjegjësim. Të krijojmë një ambient digjital më të sigurt për fëmijët tanë”, thuhet në apelin e saj.

Dy ditë më parë, sociologu Jeton Brajshori alarmoi për këtë sfidë duke kërkuar vigjilencë nga prindërit dhe drejtorët e shkollave.Ka kohë që sfidat e TikTokut janë vënë në qendër të diskutimeve për shkak të rrezikshmërisë së madhe për fëmijët. Ka pasur thirrje edhe që ky rrjet social të ndalohet në Kosovë.Në maj të këtij viti, në Fushë-Kosovë, 17 nxënës pësuan vetëlëndime në përgjigje të një sfide në TikTok.Sipas një ankete të “Save the Children Kosova”, fëmijët e identifikuan TikTokun si platformën ku bullizohen më së shumti./koha.net

Të ngjashme