Google ADS

Lekaj: Kosova, në një dialog që nuk po rezulton me ndonjë të arritur

15:05 | 10 Mars 2017
Arbresh.info

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, duke folur për 10 vjetorin e propozimit të Marti Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës ka thënë se edhe 10 vjet pas Kosova është në një dialog që nuk po rezulton me ndonjë të arritur.

Lekaj ka thënë përmes një statusi në Facebook se Kosova ka nevojë për ndryshime në mentalitetin qeverisës, shkruan arbresh.info.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Sot dhjetë vjetë me parë Kosova ishte protektorat, por që dinamika e angazhimit të kryeministrit Haradinaj në atë kohë dhe veprimet e tij prej burreshtetasi te vërtetë, bëri që të plotësohen “standarde para statusit” dhe Kosova të marrë pavarësinë si e drejtë e patjetërsueshme e vullnetit të popullit.

Propozimi gjithëpërfshirës për Kosovën i presidentit Ahtisari në vitin 2007, ishte një dokument i cili e hapte rrugën për një Kosovë të pavarur, stabilite, të zhvilluar e demokratike, e që do të kishte mbështetje nga miqtë dhe bota demokratike.

Sot kur jemi në 10 vjetorin e këtij propozimi, Kosova është e pavarur, nuk është stabile, zhvillimi ekonomik është i mangët e demokracia është gati sa e rrezikuar.

Kushtetuta e saj është moderne, por e cila në vazhdimësi është rrezikuar seriozisht nga pushteti e nga disa individ që nuk e kanë pranuar demokracinë të cilën kjo kushtetutë e promovon. Gardiani i saj, Gjykata Kushtetuese duke qenë e ndikuar nga politika ka nxjerrë shpesh vendime që kanë rënë ndesh me vullnetin qytetarë dhe frymën e kësaj Kushtetute. Gabimi po vertetohet edhe në rastin e Maqedonisë, ku atje po rezulton që ata që i krijojnë numrat, mund ta krijojnë qeverinë, pavarësisht nëse i kanë fituar zgjedhjet ose jo!

Kosova edhe sot është në një dialog i cili nuk po rezulton me ndonjë të arritur.

Kosova e sotme ka nevojë për ndryshime në mentalitetin qeverisës e të mos sillemi sikur para 10 vjetëve kur ishim nën protektorat./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme