Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka dëshmuar në seancën gjyqësore ku kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 10 gusht të vitit 2016.
Deputeti Pal Lekaj në sencë ka thënë se nuk i kujtohet që mbledhja është ndërprerë.
“Nuk më kujtohet që është ndërprerë, nuk mbaj mend se është ndërprerë ndonjë mbledhje e Kryesisë”, është deklaruar Lekaj.
Prokurori Besart Mustafa ka pyetur Lekajn se “a ka hedhur Konjufca gaz lotsjellës në Kuvend”, por trupi gjykues e ka refuzuar këtë pyetje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet./rtk/
Tre të mitur e godasin me grushte dhe i vjedhin para një 38-...
Vendimi i Gjykatës Speciale për Shalën, Jonuzin dhe Bahtijar...
U asfiksuan nga gazi, humbin jetën dy persona në Kamëz
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...