Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë se nuk i ka realizuar premtimet për ndërtimin e 160 çerdheve të reja dhe për ofrimin e shujtave falas për nxënësit e ciklit fillor.
Lidhur me këtë, nga Qeveria thonë se Ministria e Arsimit ka ndarë buxhetin për ndërtimin e këtyre çerdheve, por komunat duhet t’a bëjnë ndarjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e këtyre institucioneve parashkollore.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një videoje në Facebook ka thënë se nuk është realizuar premtimi i kryeministrit Kurti për 160 çerdhe të reja dhe shujta falas për nxënësit e klasëve 1-5.
Ai ka publikuar një video ku Kurti dëgjohet duke thënë “Do të kujdesem që për fëmijët tuaj të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar edhe 160 cerdhe në gjithë vendin, dhe të kemi shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”.
Abdixhiku ka thënë se vetëm 4 çerdhe janë realizuar dhe se fëmijët e Kosovës meritojnë më shumë.
“Çka u tha e çka s’u bë? Në politikë, valuta e vetme është fjala e dhënë – zotimi i bërë. 160 çerdhe të premtuara, vetëm 4 të realizuara. Fëmijët e Kosovës meritojnë më shumë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërkohë Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryezium ka thënë për RTK-në se nga marrja e mandatit e deri më tani numri i përgjithshëm i çerdheve të përfunduara, shkollave të adaptuara në çerdhe, çerdheve që janë në proces të ndërtimit dhe atyre që janë proces të tenderimit, është 59.
Ai ka theksuar se MASHT ka ndarë buxhetin për ndërtim të çerdheve por se kërkesat dhe vendosja e lokacioneve bëhen nga komunat.
“Ligjërisht, Ministria e Arsimit nuk mund të fillojë ndërtimin e çerdheve pa pasur kërkesa të kompletuara nga komunat. Për këtë, përveçse në takimet formale me drejtorët komunal të arsimit, ne kemi dërguar edhe letra zyrtare në adresë të komunave, me kërkesë për aplikimi për çerdhe si dhe kemi ndarë me ta materialet e projekteve me qëllim të lehtësimit të informimit dhe aplikimit për çerdhet modulare. Secilën kërkesë të Komunave e kemi trajtuar dhe adresuar me kohë. Në mënyrë që të përmbushim planifikimin tonë, vazhdojmë të jemi në pritje të komunave për ndarjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e çerdheve dhe plotësimin e kërkesave formale”, ka thënë Përparim Kryeziu.
Tutje ai ka thënë se përkundër që Ministria e Arsimit ka planifikuar rreth 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim këtë vit, nga komunat kanë pranuar vetëm 12 kërkesa me lejet për fillimin e procedurave të tenderimit.
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...