Google ADS

LDK thotë se garon e vetme në zgjedhje të jashtëzakonshme

16:26 | 23 Korrik 2019
L G

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do të garojë e vetme në zgjedhje e parakohshme, që mund të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, në një deklaratë për Ekonomia Online, e ka ftuar presidentin Hashim Thaçi që sa më parë të konsultohet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Sipas tij, asnjë opsion tjetër nuk është i pranueshëm për LDK-në, përveç zgjedhjeve.

“Që do të ketë zgjedhje të parakohshme është thuajse e padiskutueshme, asnjë opsion tjetër nuk është i pranueshëm për LDK-në, e ky proces nuk mund të vazhdojë tutje pa LDK dhe LDK insiston në zgjedhje të parakohshme dhe nuk pranon asnjë opsion tjetër. Presidenti të ftoj partitë politike në konsultime sa më parë që të jetë e mundur që bashkë të caktojmë sa më parë datën e zgjedhjeve të parakohshme”.

Ai shprehet i bindur se LDK do të fitojë këto zgjedhje, por që thotë se pas zgjedhjeve janë të gatshëm të ulen e të dakordohen me të gjitha partitë për parimet programore fillimisht.

“LDK parapëlqen që në këto zgjedhje të shkojë e vetme, pra pa koalicione parazgjedhore. Nëse realizojmë aspiratat tona që të fitojmë zgjedhjet si parti e vetme, pa koalicion parazgjedhor me ndonjë parti tjetër dhe në momentin kur fitojmë zgjedhjet, e i kemi të gjitha indikacionet që LDK do t’i fitojë këto zgjedhje”.
“…atëherë ne jemi të gatshëm që të ulemi me të gjitha partitë tjera, të bisedojmë fillimisht mbi parimet programore të partisë tonë dhe partive tjera që të diskutojmë krijimin e një koalicioni të mundshëm pas zgjedhjeve”.

Sa i përket raportimeve se Lutfi Haziri mund të jetë kandidatë për kryeministër nga kjo parti, Mustafa thotë se vendimin e merr kryesia pas shpalljes së datës së zgjedhjeve.

“Është shumë herët të flasim për listat zgjedhore, kjo është diçka që duhet të presim deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, në shpalljen e datës së zgjedhjeve dhe atëherë do marr vendim kryesia se kush do jetë bartës i listës dhe kush i përfaqësuar në listën e LDK-së”.

Kjo parti më 3 gusht mban edhe kuvendin zgjedhor, kur pritet të zgjidhet edhe kryetari dhe strukturat tjera, edhe pse janë përfolur shumë emra që mund ta udhëheqin atë, Mustafa thotë se zyrtarisht të gjitha kandidaturat do të shpallen kur mbahet kuvendi.

“Të gjitha kandidaturat për kryetar do shpalosen në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së më 3 gusht. Të gjitha ato që mund të shprehen në media apo biseda janë thjesht shprehje e vullnetit individual, por zyrtarisht të gjitha kandidaturat do të shpallen më 3 gusht”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme