Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka thënë se java e ardhshme do ta gjejë Kosovën me Qeveri të re.
Haxhiu në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se deklarata e Gashit vërteton tendencat e LDK-së, për të ndërhyrë në Gjykatën Kushtetuese.
“Së pari, është absurde të dihet se kur mund të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përveç nëse këta kontrollojnë gjyqtarët të caktuar. Ne kemi alarmuar me kohë presionet mbi Gjykatën Kushtetuese prandaj kjo deklaratë vërteton tendencat e tyre për ndërhyrje në Gjykatë”, deklaroi ajo.
Më tej, Haxhiu pohoi se kanë kontestuar dekretin e Presidentit mbi bazën e argumenteve të fuqishme juridike.
“Secili pretendim e argumentim kushtetues i joni, rrëzon dekretin jokushtetues të Presidentit Thaçi. Gjykata Kushtetuese duhet të veproj në bazë të kompetencave kushtetuese dhe vetëm mbi norma kushtetuese në përputhje me argumentet kushtetuese të paraqitura nga palët”, u shpreh ajo për Telegrafin.
Në fund, ajo tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ndikohet nga presionet.
“Gjykata Kushtetuese në asnjë variant nuk duhet të influencohet nga presionet e ndryshme që prodhohen nga pazaret e bëra të Presidentit Thaçi dhe LDK-së. Prandaj ne jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili vendim duhet ta mbroj rendin kushtetues, demokracinë dhe vullnetin e popullit të mishëruara në Kushtetutën tonë”, u shpreh ajo.
Ndryshe, sot shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kanë diskutuar me mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti për programin qeverisës dhe planin e punës së Qeverisë Hoti. Gashi para mediave u shpreh i bindur se java e ardhshme e gjen Kosovën me qeveri të re.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në fund të muajit do të marrë vendim lidhur me dekretin e presidentit për mandatarin.
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion