LDK: Qytetarët të dëshpëruar, Qeveria Kurti nuk e ka zgjidhur asnjë problem që ka premtuar

10:00 | 15 Maj 2022
A Z

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë për arbresh.info se opozita nuk ka numra të mjaftueshëm për rrëzimin e Qeverisë Kurti, sepse kanë fituar mbi 50 % të votave dhe qytetarët i kanë besuar kësaj qeverie.

“Ne si opozitë kemi numra të pamjaftueshëm për rrëzimin e Qeverisë Kurti, sepse këta kanë fituar mbi 50 % të votave dhe qytetarët i kanë besuar qeverisë Kurti 2”, tha ajo.

Bunjaku, shton se është për keqardhje se si i kanë dëshpëruar votuesit Qeveria Kurti, dhe se si janë duke i zhvilluar proceset në Kosovë, duke shtuar se nëse opozita do të kishte mundësi do e kishte rrëzuar nesër.

“Është për keqardhje se si i ka dëshpërua votuesit e vetë dhe si janë tu u zhvillu proceset në Kosovë, rritje e normave të çmimeve, jetë e papërballueshme për qytetarët tanë por në qoftë se opozite ka mundësi për me rrëzuar Qeverinë Kurti kishim me rrëzuar nesër, por ne nuk kemi deputet të mjaftueshëm për me rrëzuar Qeverinë Kurti”, tha deputetja e LDK-së.

Sipas saj, qytetarët janë ata të cilët do ta rrëzojnë qeverinë Kurti, dhe kjo Qeveri nuk do ta qojë mandatin deri në fund sepse kanë qenë të zhgënjyer pasi që pritjet kanë qenë shumë të mëdha dhe dëshpërimi edhe më i madh.

“Qytetarët janë ata të cilët kanë me rrëzuar këtë Qeveri, dhe nuk ma merr menja që kjo qeveri do të shkojë deri në fund të mandatit sepse realisht qytetarët janë shumë të zhgënjyer në Qeverinë Kurti, pritjet kanë qenë shumë të mëdha dhe dëshpërimi ka qenë edhe më i madh se pritjet”, tha Valentina Bunjaku.

Rikujtojmë se, Qeveria aktuale e Kurtit është formuar më 22 mars të vitit të kaluar, duke pasuar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat Vetëvendosja e Kurtit ka dalë e para./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Të ngjashme