Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me vendosjen e gurë-themelit për ndërtimin e universitetit në veri të Mitrovicës.
Në reagimin e saj LDK thekson se ndërtimi i këtij universiteti nga Serbia degradon shtetin e Kosovës dhe nëpërkëmb identitetin e Universitetit të Prishtinës.
Kjo parti ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë Kurti, duke theksuar se është e vetmja qeveri e cila po ringjallë strukturat paralele në veri.
LDK ka kërkuar nga Qeveria Kurti të parandalojë ndërtimin e këtij universiteti dhe të shkarkojë ministrin Rakiq, shkruan arbresh.info.
Komunikata e plotë e LDK-së.
Reagim mbi gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut” dhe pasivitetin e Qeverisë Kurti
Me aprovimin e vizitës nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit së bashku me Ministrin e Qeverisë së Albin Kurtit, vunë në Mitrovicën e Veriut gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”. Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës.
Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”. Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë. Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë.
Është e vërtetë se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, neni 21, parasheh që “Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetencë për shkollim të lartë …”, porse neni 19.2 më tutje nënvizon se “Autoritetet qendrore në Republikën e Kosovës monitorojnë ushtrimin e kompetencave të zgjeruara në pajtim me legjislacionin qendror, që parasheh qasje të barabartë në shërbimet publike; standarde minimale sasiore dhe cilësore në ofrimin e shërbimeve publike; kualifikime minimale të personelit dhe trajnimit të tyre, parimet e përgjithshme për licencim dhe akreditim të ofrueseve të shërbimeve publike.”
Qeveria Kurti, me gjithë fuqinë ekzekutive dhe shumicën absolute parlamentare që ka, po lejon që ministrat e saj, dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete që de-legjitimojnë shtetin tonë. Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu.
Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...