LDK: Qeveria Haradinaj drejtohet me sjellje kanunore

14:13 | 9 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar shumë vërejtje në adresë të Qeverisë që drejtohet nga Ramush Haradinaj në tre mujorin e konstituimit të saj.

LDK, përmes një komunikate për medie përveç që akuzon Ramush Haradinajn për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave, thotë se  “Qeveri po drejtohet me logjikën e odave, me sjellje kanunore, duke harruar se në këtë shtet ka Kushtetutë dhe ligj”.

Më tej LDK thotë se” Qeveria po e shpërdoron buxhetin e shtetit duke shpërndarë arbitrarisht parat e taksapaguesve, duke falur në mënyrë joligjore borxhe për klientele dhe po ndërhyn me vendime në autoritetin e institucioneve të pavarura me Kushtetutë”, shkruan arbresh.info.

Sipas këtij subjekti politik, Qeveria e Kosovës po bën lojëra për konsum politik me çështjen vitale të demarkacionit, duke e vënë në rrezik të ardhmen e qytetarëve, lëvizjen e lirë të tyre dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera mike.

Komunikata e plotë e LDK-së:

“Sot, bëhen plot 3 muaj nga dita e votimit në Kuvendin e Kosovës të Qeverisë së kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Pas negociatave me Radojiçiqa e sekserë të tjerë nga të gjitha anët e Kosovës, Qeveria Haradinaj u konstituua vetëm pasi priti disa orë që t’i vijnë nga Beogradi partnerët e saj dhe që nga ajo ditë, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar qeverisjen më jolegjitime, më të dobët dhe më arbitrare, e cila ka degraduar skajshëm çdo pore të jetës institucionale e politike në vend.

Që nga 9 shtatori, Kosova ka Qeverinë me më së shumti zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra në rajon dhe më gjerë.

Qeveria e Kosovës sot i ka në realitet 4 “kryeministra” të cilët i udhëheqin ministrat e partive të ndryshme.

Qeveria Haradinaj drejtohet me logjikën e odave, me sjellje kanunore, duke harruar se në këtë shtet ka Kushtetutë dhe ligj.

Qeveria po e shpërdoron buxhetin e shtetit duke shpërndarë arbitrarisht parat e taksapaguesve, duke falur në mënyrë joligjore borxhe për klientele dhe po ndërhyn me vendime në autoritetin e institucioneve të pavarura me Kushtetutë.

Qeveria aktuale po e dëmton pariparueshëm politikën e jashtme, duke tkurrur subjektivitetin dhe duke dështuar në të gjitha aspektet, siç ishte rasti i anëtarësimit në INTERPOL.

Qeveria aktuale është izoluar plotësisht nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët hezitojnë edhe të shfaqen në konferenca mediesh me drejtuesit e saj.

Qeveria e Kosovës po bën lojëra për konsum politik me çështjen vitale të demarkacionit, duke e vënë në rrezik të ardhmen e qytetarëve, lëvizjen e lirë të tyre dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera mike.

Qeveria e Kosovës, ka dështuar plotësisht që ta çojë përpara procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur.

Kabineti i kryeministrit është shndërruar në vend të pritje-përcjelljeve të kota, duke përfshirë pritje për njerëz të inkriminuar.

Kabineti Qeveritar përbëhet nga njerëz pa kredenciale dhe që nuk e përfaqësojnë asnjë qytetar. Anëtarë të kësaj Qeverie janë edhe njerëz që akuzohen me fakte nga fqinjët për dhunë gjatë luftës, apo zëvendëskryeministra që gjuajnë me armë zjarri në ambiente publike.

Vendimet më të mëdha të kësaj Qeverie janë emërimet nepotike të dhëndurëve në pozita të larta, si në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Që nga marrja e mandatit të kësaj Qeverie, janë evidentuar dështime me pasoja fatale në shëndetësi.

Buxheti i propozuar për vitin 2018 ka degraduar dhe e kthen situatën e para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor, një strukturë jo adekuate të buxhetit dhe një planifikim buxhetor i udhëhequr nga motive provinciale politike.

Ngecjet janë evidente edhe në të gjitha fushat tjera që lidhen me qeverisjen qendrore.

Në këtë situatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, fton qytetarët e Republikës që të mos e humbin shpresën por që të bashkuar të rikthejmë vendin në binarët e zhvillimit, të perspektivës euroatlantike, të rikthejmë besimin dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet e BE-së dhe të hapim perspektivën e zhvillimit ekonomik për të gjithë qytetarët e vendit” (sic), përfundon kumtesa e LDK-së. /arbresh.info/

Të ngjashme