LDK paralajmëron kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit për shkak të gjeturave të auditorit

14:24 | 5 Korrik 2018
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbajtur konferencë për medie ku është folur për shkeljet që janë evidentuar në raportin e auditimit.

Arban Abrashi ka thëne se këto shkelje kanë ndikuar në rënien e buxhetit të komunës dhe humbjet në realizimin e investimeve kapitale në Prishtinë.

“Zyra e auditimit e Republikës së Kosovës në këtë raport në vitin 2017 ka kolauduar se në menaxhimin e komunës ekzistojnë disa mangësi sa i përket qeverisjes brensa komunës që kanë të bëjnë me moszbatimin e rekomandimeve nga viti paraprak, anashkalimin e planit për menaxhimin e rrezikut, mungesë iniciativash konkrete në rritjen e të hyrave dhe mosefikasitet i auditimit tq brendshëm si katalizator i efikasitetit të kontrolleve të brendshme”, ka thënë ai, përcjell arbresh.info.

Abrashi ka thënë se në vitin 2017 sipas këtij raporti janë realizuar vetëm 58% e buxhetit tek projektet kapitale.

Të gjeturat e këtij raporti i ka përmendur Fiknete Bajrami ku ka thënë se janë 25 të gjetura nga zyra e auditimit.

“Më kryesoret janë: 1.8 milion euro shpenzime operative janë paguar jashtëligjshëm nga shpenzimet kapitale, planifikim jo i mirë i të hyrave sipas kategorive shembull legalizimi i objekteve vetem 2%, apo parkingje vetëm 16% përkundër 2 milionëve të premtuara, dhënia e pronave në shfrytëzim pa kompensim, tejkalimi i kohës së përcaktuar për mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre, mosklasifikimj i vendeve të punës, mosraportim për përfituesit e subvencioneve, planifikim i dobët i sasive më kontratë”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur edhe procesin e tenderimit ku ka thënë se nuk është respektuar kriteri i prokurimit.

“Çmimi më i ulët por është dëmtuar buxheti i komunës duke iu dhënë tender OE me çmim më të shtrenjtë edhe pse OE me çmim më të lirë kanë qenë të përgjegjshëm, pastaj gjatë ekzekutimit në disa pozicione janë bërë tejkalime të ndjeshme të sasive deri në 200%. Si lidhja e kontratave në mungesë të zotimit të mjeteve, vonesa në realizimin e kontratave, detyrimet kontigjente, urdhërblerja pas pranimit të faturës”, ka thënë ajo.

Ish kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës nga radhët e LDK-së Halim Halimi ka thënë se do të bëjnë kallëzime penale ndaj Shpend Ahmetit.

“Janë bërë kallëzime penale ndaj Ahmetit duke u bazuar në raportin e vitit të kaluar. Edhe këtë vit nuk do të rrimë duar kryq dhe do të bëjmë kallëzime penale ta vetëdijësojmë kryetarin që të ik nëse nuk punon për qytetarët”, ka thënë ai./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme