LDK nuk ndryshon qëndrimin për demarkacionin

19:57 | 27 Shkurt 2018
M. A.

Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet plotësisht Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, ka thënë sot shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti.

Hoti ka deklaruar se qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është vota pro demarkacionit me Malin e Zi.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë marrëveshje.Kjo çështje është dashur të kryhen me kohë”, ka thënë Hoti.

Hoti është shprehur kritik ndaj opozitës së legjilaturës së kaluar në Republikën e Kosovës, e cila sipas tij, ka kundërshtuar me dhunë ratifikimin e një marrveshjeje nga e cila janë izoluar qytetarët e Kosovës.

“Sot qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në BE sikur opozita e atëhershme të mos e kundërshtonte me dhunë ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hoti për Insajderi.

I pyetur nëse të gjithë deputetët e LDK-së janë të unifikuar rreth këtij qëndrimi për votimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Hoti nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

“Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjatë legjislaturës së kaluar, përveç opozitës, edhe disa deputetë të LDK-së kishin kundërshtuar Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi. Bëhet fjalë për Vjosa Osmanin, Arben Gashin, Anton Quni – të cilët janë ende pjesë e Grupit Parlamentar të LDK-së – si dhe Shpejtim Bulliqi, i cili nuk është më deputet i Kuvendit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme