Arrestimi i Marko Gjuriqit i cili hyri pa leje në Kosovë, bëri që tek udhëheqësit e Serbisë si dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë të shkaktojë ‘tensione’.
Këta të fundit pas një takimi që kishin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq morën vendim që të martën të japin dorëheqje nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Pas këtij vendimi menjëherë u vu në dilemë se si do të vazhdojë Qeverisja e tanishme kur tanimë po i mungonin numrat. Madje u përfol edhe një opsion i rënies së Qeverisë dhe i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, shkruan Arbresh.info.
Mirëpo dorëheqja e Listës Serbe nga Qeveria nuk e frikësoi të parin e Qeverisë, kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, pasi që në një konferencë për media tha se ‘Dorëheqje nuk e kam plan me dhanë. Punën kam me vazhdu’. Haradinaj e komentoi si të pakuptueshme marrjen e një vendimi nga Lista Serbe për largim nga koalicioni.
“Veprimi i arrestimit të Gjuriqit nuk ka qenë i drejtuar kundër qytetarëve serbë, sikurse as zyrtarëve serbë, por i atyre që e kanë thyer ligjin”, kishte thënë ai.
Madje kryeministri Haradinaj në këtë konferencë theksoi se pas dorëheqjes së Listës Serbe. Nga deklarata e partisë opozitare më të madhe LDK-së u tha se LDK është e gatshme të bashkëpunojë për zgjidhje. Ku pas kësaj deklarate dolën raportimet në medie se LDK do të bëjë koalicion me PDK-në.
Analisti politik Bajrush Morina në një përgjigje për portalin Arbresh.info ka thënë se me largimin e Listës Serbe shteti nuk do të paralizohet, porse sipas tij koalicioni qeverisës do të rrezikohet.
“Në fakt ku koalicion prej themelimit është koalicion i shantazhuar nga Lista serbe. Ndërkaq Qeveri pa Listen Serbe nuk mund të formohet sepse komuniteti serb është kategori kushtetuese. Por, mund të formohet qeveri e shumicës pa kushtëzimin e Listës Serbe. Kujtojmë se edhe në koalicionin e kaluar Lista serbe bojkoti 4 muaj Qeverinë, por koalicioni ishte i qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Morina ka thënë se fati i këtij koalicioni është në duart e LDK-së.
“Se fati i këtij koalicioni është në duar të LDK-së kjo është e vërtetë për faktin se LDK sot është partia më e madhe në vend. Por unë nuk besoj se LDK do të “mbajë në pushtet” Ramush Haradinajn dhe PDK-në për shkak të dallimeve të mëdha të mënyrës së qeverisjes së vendit dhe për shkak të “plagëve politike” që Haradinaj bashkë me PDK-në i shkaktuan LDK-së 9 muaj më parë. Pra, mund të kemi një Qeveri të pakicës që nuk dihet a e “qel sabahu dhe a e nxen akshami””, ka thënë ai.
Politologu Leon Duhanaj ka thënë se sipas parashikimeve ndërkombëtare, bisedimet Kosovë-Serbi, gjatë këtij viti duhet të shkojnë drejtë përmbylljes, që sipas tij do të ketë një marrëveshje përfundimtare siç është cilësuar shpesh si marrëveshje paqeje.
“Deri atëherë, Serbia, nuk do të lë gurë pa rrotulluar, në mënyrë që ta destabilizojë Kosovën, me qëllim që ta vendosë situatën para një akti të kryer, për ndarjen e veriut. Për fat të keq, kësaj gjendje i kanë shërbyer edhe disa çarqe shqiptare dhe situata e krijuar, mund të jetë në shërbim të këtij skenari. Prandaj, nga Kosova, kërkohet maturi dhe vendosmëri”, ka thënë ai për Arbresh.info.
Sipas tij në këtë fazë të rëndësishme për shqiptarët është me rëndësi jetike uniteti kombëtarë.
“Lista Serbe nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të bëhet faktorë vendimtarë për Kosovën. Ne kemi gjetë rrugë edhe ndër okupim që të organizohemi pa serb. Këndej, kërkohet nga politika shqiptare, që serbeve t’u bëhet shumë e çartë se nëse dëshirojnë të jetojnë në Kosovë, duhet të përmbahen dhe të jenë në suaza të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Duhet t’u bëhet e çartë edhe serbeve lokal por edhe Serbisë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe se, këtë status është e gatshme ta mbrojë me çdo kusht dhe për ta çuar mesazhin sa me të çartë dhe pa ekuivok, kërkohet së pari deklarim i të gjitha partive politike, për gatishmëri rreth unitetit kombëtarë. Pastaj të pasojë me bisedime të sinqerta mes tyre duke u mbledhur rreth një platforme të vetme kombëtare. Këtu nuk guxon të mungojë asnjë subjekt, për ndryshe duhet të shpallën bashkëpunëtorë të armikut, ka thënë ai duke shtuar se në këtë mes pozita e Presidentit, duhet të mbetet në suaza të autorizimeve kushtetuese.
“Ka zëra që lajmërojnë interesa për kinse shkëmbim territoresh, ku protagonist thuhet të jetë z. Thaçi. Kjo nuk guxon të ndodhë në asnjë formë. Kosova, në një skenarë të tillë, nuk shkëmben por humbë përkatësisht i ndahet territor. Për të mos na ndodhur gjëra të kësaj natyre, duhet urgjentisht të krijohet një organ uniteti kombëtarë i cili merr për sipër këtë proces. Ndryshe, nëse shkojmë në këtë formë siç kemi vazhduar gjerë me tani, epilogu do të jetë ndarja e Kosovës dhe pjesa e mbetur ” multietnike” do të rezultojë një dështim. Ndërkombëtarët, do ta vlerësojnë seriozisht qëndrimin e secilës palë. Ata janë për ruajtjen e shtetësisë së Kosovës. Por, nëse pala shqiptare heq dorë nga kjo ide, ata nuk do të insistojnë me çdo kusht. Nëse Kosova ndahet, do të ndodhë si pasojë e lojërave të fëlliqta të disa çarqeve shqiptare. Kjo do të ishte tradhti ndaj sakrificës dhe gjakut të derdhur brez pas brezi”, ka thënë Duhanaj.
Ndërsa sipas analistit Blerim Burjani LDK është dashtë të kushtëzoj votën për demarkacionin me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe siç tha ai të votohej në pako.
“Do të ishte pikërisht tema e demarkacionit qe e kishte prish qeverisjen PDK-LDK , por në këtë mënyrë si LDK ka vepruar me demarkacionin është e qartë se është pjese e koalicionit në kuptimin e gjerë. Është normale që tash PAN-i të kërkojë bashkëpunim të plotë edhe për temën e asociacionit dhe për të gjitha tema në të ardhmen që të përkrah interesin shtetëror. Është e dobishme që të përkrahet agjenda shtetërore dhe qytetarët por jo vazhdimisht në dëm të LDK-së përderisa PDK mban me çdo kusht në qeverisje një njeri të dobët me të gjitha parametrat e zhvillimit të politikave, pra thjesht e mban kotë një kryeministër të tillë që nuk ofron asgjë përveç politik të tërnakopit dhe zhvatjes. Thjeshtë nuk është e kuptueshme kjo çështje përse dhe çka dëshiron të arrij LDK me këtë temë, ose më mirë është që t’i bashkohet Qeverisë”, ka thënë ai për portalin Arbresh.info./ V.Berisha/Arbresh.info
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...