LDK: Lista jonë vazhdon betejën për ç’kapjen e shtetit

17:40 | 23 Maj 2017
Arbresh.info

Përmes një komunikate për media nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thuhet se koalicioni parazgjedhor LDK-AKR- Alternativ a por edhe Lëvizja për Drejtësi, me emrat e kandidatëve për deputetë në listën e publikuar, thonë se u kanë ofruar qytetarëve një listë të cilët përfaqësojnë unitetin politik e qytetar të Kosovës.

Në njoftim thuhet se lista e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Është listë që përfaqëson në mënyrën më të denjë gratë dhe burrat e Kosovës, të rejat dhe të rinjtë e Kosovës. Listë e kandidatëve të dëshmuar për shërbim të ndershëm ndaj qytetarëve dhe listë e kandidatëve të rinj, profesionistë të fushave përkatëse dhe entuziastë për të përcjellë në institucionet e Kosovës njohuritë dhe përvojën e tyre të shkëlqyer nëpër universitetet më të mira të botës dhe nëpër institucione të ndryshme kredibile ndërkombëtare”, thotë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ata gjithashtu pohojnë se lista e kandidatëve të LDK-AKR dhe Alternativa për deputetë përbëjnë alternativën e vetme serioze për qytetarët e Kosovës.

“Kjo listë, jemi të bindur se do të prodhojë shumicë solide në Kuvendin e Kosovës, e cila do t’i mundësojë koalicionit tonë krijimin e një qeverie, e cila do ta vazhdojë betejën për ç’kapjen e shtetit, sundimin e rendit dhe të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thotë LDK.

“Fitorja e koalicionit tonë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017 do t’i japë fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës, duke liberalizuar fillimisht vizat për qytetarët e Kosovës, për t’i hapur rrugën procesit të integrimit të plotë euro-atlantil të Kosovës”, thuhet më tej./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme