LDK-ja “ngatërron” reformën me spastrimin, balancimi i gjeneratave i domosdoshëm

08:16 | 9 Maj 2021
A. B.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të ngatërrojë reformën me “spastrimin” e strukturave të saj nëpër komuna.

Kjo pasi, sipas analistëve, shanset për rikthimin e LDK-së janë reale vetëm nëse gjen balancën ndërmjet përvojës së figurave të mëparshme dhe kuadrove të reja.

Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu thotë se reforma, nuk duhet të kuptohet më përjashtim të figurave të vjetra të cilat kanë kontribuar më vite në parti.

Salihu vlerëson se suksesi është në një balancim të gjeneratave.

“Mendoj që LDK-ja ka marre rrugën e duhur reformuese më kryetarin e ri. Nëse vazhdon njëjtë në nivel lokal, besoj që kjo do t’i jap frytet e veta. Por, asnjë parti nuk duhet ta ngatërrojë reformimin me spastrimin. Sjellja e figurave të reja dhe premtuese nuk nënkupton përjashtimin e kuadrove që kanë kontribuar me dekada në parti. Çelësi i suksesit është në gjetjen e balancës mes prurjeve të reja dhe figurave më përvojë të gjatë partiake”, thotë Salihu për arbresh.info.

Se LDK-së i nevojitët bashkëpunimi mes figurave të vjetra e atyre të rejave e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Fatmir Sheholli.

Sheholli në një përgjigjeje për arbresh.info, vlerëson se duhet të merren parasysh përvoja e figurave të vjetra.

“LDK-së i nevojitet reformë e thellë dhe sa unë shoh, LDK ka filluar reformat duke sjellë freski rinore në LDK. Shpresoj se kjo frymë reformatore do ta përcjellë LDK-në edhe për zgjedhje lokale. “Figurat” kushtimisht të themi të vjetra të LDK-së, duhet me përvojën e tyre të lëshojnë rrugë të rinjëve. Rrugëdalje tjetër nuk ka. Shpresoj që me përvojën e figurave të vjetra dhe me vullnetin e të rinjve shansat e LDK – së janë reale”.

Kujtojmë se në kuvendin zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës pas dorëheqjes së ish-kryetarit Isa Mustafa,  në krye të partisë u zgjodh Lumir Abdixhikun, i antarësuar rishtazi, përballë kundër kandidatit Lutfi Haziri, që është pjesë e LDK-së, pothuajse nga fillimi.

E reforma në këtë parti nuk u ndal me kaq.

Abdixhiku si kryetar i ri, ndryshoj edhe strukturën e partisë.

Jashtë kryesisë la dy ish-nënkryetarët, Haki Rugovën e Agim Veliun.

Ndryshimet në këtë parit u paralajmëruan qysh në fjalimin e parë të Abdixhikut pas marrjes së postit.

Krejt kjo sipas tij do të bëhet për të rikthyer LDK-në në partinë e parë aty ku e kishte vendin.

Këto reforma rrodhën pas rezultatit në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK si e treta, mori vetëm 12% të votave./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme